Buxheti afatmesëm në Shqipëri, synohet mbajtja e rritjes ekonomike 4% dhe stabilitet i inflacionit

m ekonomise

Rritja ekonomike parashikohet të jetë 4% gjatë tre viteve të ardhshme, sipas buxhetit afatmesëm 2026–2028 të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas këtij buxheti, rritja ekonomike do të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, konsumi privat, investimet dhe turizmi.

Inflacioni, në skenarin bazë, parashikohet të rikthehet drejt nivelit prej 3% dhe të qëndrojë i tillë përgjatë tri viteve.

Parashikohet një rritje graduale e fondeve për 95 institucione që mbështeten nga buxheti. Nëse këtë vit për institucionet shpenzimet janë planifikuar në 4,7 miliardë euro, vitin e ardhshëm rriten në rreth 4,8 miliardë euro dhe në vitin 2028 kapërcejnë vlerën e 4,9 miliardë euro.

Edhe në buxhetin afatmesëm, sipas parashikimeve, mbështetjen më të lartë do të vijojë ta ketë Ministria e Shëndetësisë.

Rritjen më të madhe të shpenzimeve do ta kenë Ministria e Ekonomisë, me fokus kryesor te pensionet, dhe Ministria e Mbrojtjes, si detyrim edhe ndaj vendimit të NATO-s për të shtuar buxhetin e mbrojtjes, por edhe për të siguruar armatime, mjete ushtarake, arsim apo mbrojtjen civile.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në tri vitet e ardhshme do të vijojë të rritet. Nga 520 milionë euro që është këtë vit, në 2028-ën planifikimi i bërë është që buxheti të arrijë në 607 milionë euro. 

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës, që këtë vit mori 690 milionë euro buxhet, pritet të marrë 760 milionë euro vitin tjetër dhe më pas të ulet në 714 milionë euro në vitin 2028. Edhe për këtë 3-vjeçar, vëmendja do të jetë te rrugët, me 50% të totalit të buxhetit që merr kjo ministri.

Sipas dokumentit, transporti rrugor synon të garantojë 3,522 kilometra rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve kombëtare në të gjithë territorin gjatë periudhës 2026–2028.