“Bum ndërtimesh pa leje”, Rama: Të shkarkohen të gjithë drejtuesit e Njësive Administrative në vend
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shkarkimin e kryetarëve të Njësive Administrative në të gjithë vendin.
Në takimin e zhvilluar me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, kryeministri solli në vëmendje aksionin e nisur ditët e fundit për ndërtimet pa leje, kryesisht në zonat turistike. Ai kritikoi autoritetet lokale se qëndruan symbyllur para këtyre zhvillimeve.
“Në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh, si rezultat edhe i përgatitjes për sezonin e ri turistik,” deklaroi kryeministri.
Duke iu referuar problematikave në bashkitë dhe njësive e tyre administrative, Rama tha se puna e tyre lë për të dëshiruar, ndaj drejtuesit e këtyre njësive duhet të shkarkohen që t’u jepet mundësia edhe të tjerëve të kontribuojnë për vendin.
“Këtu janë edhe disa nga kryetarët e forcave të tjera. Për sa i përket kryetarëve të Partisë Socialiste, gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen. Që të gjithë! Dhe t’u jepet mundësia, por duke iu dhënë mundësia edhe të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata,” u shpreh Rama.
Rama theksoi se gabime të atilla nuk mund të tolerohen teksa Shqipëria sheh drejt 2030-s për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
“Votat që kemi marrë e kanë rritur diferencën sa jemi anëtarë partie dhe sa janë ata që e duan këtë parti në krye. Rritja e kësaj diference do të thotë që ne duhet ta rrisim hapësirën edhe për ata të tjerët që nuk na njohin por që na kanë dhënë votën duke na besuar se ne mund të bëjmë shumë më mirë. Shqipërinë për 2030-n nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime.
Gabime mund të bëjmë por gabime të reja, duhet të bëjmë të tjera gjëra. Dhe një nga gjërat e reja është që t’u japim një mundësi të re për këtë vend, dhe drejtorë e kryetarë njësish, nuk i fut të gjithë në një thes, por shumicën dërrmuese nuk ka nevojë ta shohësh se mjafton të shohësh lulëzojnë barërat e këqija në territoret e tyre për të parë se ata nuk janë në funksion”, tha Rama.
Sipas Ramës, IKMT-ja dhe policitë bashkiake janë 2 hallkat më të dobëta të cilat nuk bëjën sa duhet kundrejt ndërtimeve pa leje.
“Nga ana tjetër, IKMT-ja ka filluar të veprojë por qoftë në Theth, qoftë në Vlorë, qoftë edhe në territore të tjera dobësia e madhe e Inspektoratit për mbrojtjen e territorit, Tirana për shembull ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit të përtej kufijve të të bërit biznes dhe qoftë policitë bashkiake, janë realisht struktura shumë problematike”, deklaroi Rama para kryetarëve të bashkisë.
Ai dha edhe një përgjigje mbi pyetjet se përse qeveria u kujtua tani për ndërtimet pa leje në vend, duke thënë se kjo është një betejë e përditshme nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat.
“Për të gjithë ata që thonë pse u kujtua tani e pse i lanë, dua të them se kjo është një betejë e përditshme nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat, nëse struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje dhe nuk është e gatshme të mbështesë zbatimin e ligjit por përkundrazi është një kullesë makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor, kjo është një përpjekje që do të duhet të shfaqet në këtë formë hera-herës derisa të gjithë ta ndajnë mendjen që nuk ka asnjë fitues duke bërë ndërtime pa leje”, shpjegoi Rama.
Reagimi i prokurores Gjeli, ese filozofike
Duke iu referuar ndërtimeve në zonën e Thethit, Rama përsëriti se janë kryer rreth 40 denoncime nga Policia e Shtetit për këto ndërtime, por nuk ka funksionuar sipas tij Prokuroria, ndërsa risolli në vëmendje rastin e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila sot iu përgjigj akuzave të tij.
Struktura e Policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori siç është bërë e ditur publikisht në një rast të një flagrance spektakolare nuk është ndërtuar thjesht një ngrehinë por është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes te Thethit, prokuroria ose më saktë një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimit.
Pra, ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Republikën e Shqipërisë është vepër penale. Ndërtimi pa leje në një zonë si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë,” tha Rama.
