BSH: Rreth 4 mld euro qarkullojnë jashtë bankave
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paraja që qarkullon jashtë bankave në Shqipëri ka regjistruar një rritje të lehtë në tetor të këtij viti. Paraja jashtë korporatave depozituese arriti në rreth 401 miliardë lekë, rreth 4 miliardë euro. Ndërkohë, në muajin paraardhës kjo vlerë ishte 399,8 miliardë lekë.
Shtimi i këtij treguesi vit pas viti pasqyron edhe më mirë trajektoren rritëse të parasë jashtë korporatave depozituese, ku përfshihen të gjitha institucionet financiare që pranojnë depozita të transferueshme.
Paraja jashtë bankave ka shënuar një ecuri rritëse gjatë dhjetë muajve të këtij viti, duke kulmuar në pikun e sezonit turistik. Kështu, në korrik kjo vlerë ishte 402,6 miliardë lekë, ndërsa në gusht 403,8 miliardë, që është edhe vlera më e lartë historikë e regjistruar ndonjëherë. Këto dy tregues mund të shpjegohen edhe me fluksin e lartë të turistëve që mbërritën në vendin tonë, çka shtoi edhe qarkullimin e parasë jashtë bankave
Paralelisht, në rritje ka qenë edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshme Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin tetor, paraja e gjerë arriti vlerën më të lartë në 1.737 trilionë lekë, nga 1.733 trilionë lekë që ishte në muajin shtator. Rritja e Agregatit M3 mund të kishte qënë akoma më i lartë, por është frenuar disi nga mbiçmimi i lekut ndaj euros gjatë këtij viti.
Agregati tjetër, M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, ka vijuar ecurinë rritëse me rreth 14 miliardë lekë brenda një muaji. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, agregati M2 është rritur në rreth 1 trilion lekë, nga 991.6 miliardë lekë, që ishte në shtator.
Sipas Scan TV