Bruksel- Rama: Hapim grupkapitull tjetër për negociatat. Costa: Zgjerimi i BE, gjeostrategjik për paqen

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel dhe Luksemburg për të kryesuar Shqipërinë në çeljen e grupkapitullit të dytë të negociatave me Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për media së bashku me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi dhe shprehu mirënjohjen për Presidentin Costa për vëmendjen dhe mbështetjen e tij ndaj rajonit. “Jam i lumtur të jem këtu me Presidentin e Këshillit Europian, i cili me mençurinë dhe angazhimin e tij ndaj vendeve të rajonit është një aleat i çmuar për ne,” deklaroi Rama.
Kryeministri vlerësoi hapjen e një grupkapitulli tjetër në kuadër të negociatave dhe shtoi se ky është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e detyrave të kalendarit ambicioz të Shqipërisë, me synimin për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027.
Ai gjithashtu e cilësoi Samitin e Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet më 16 maj në Tiranë, si një mundësi të shkëlqyer për të forcuar angazhimin e Shqipërisë dhe rajonit në rrugën drejt integrimit europian.
“Kjo është një ditë shumë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj tjetër, ndërkohë që me presidentin jam mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë për përparimin në këtë proces dhe më pas për Samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian që është eveniment i rëndësishëm në tërësi, por ka rëndësi të posaçme në këtë moment në kohë dhe do flasim për rajonin ndaj të cilit presidenti është veçanërisht i përkushtuar.
Në përgjithësi jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të përmbyllur negociatat brenda 2027-ës”, deklaroi Rama.
Nga ana e tij, Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave dhe e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Europian si një prioritet të qartë strategjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit. Ai theksoi se hapja e një grupkapitulli tjetër është një hap i rëndësishëm dhe se ambicia është që të çelen më shumë grupe kapitujsh gjatë këtij viti.
“Dua që Shqipëria të vazhdojë me këtë ritëm dhe të përmbushë objektivat e kalendarit të saj ambicioz. Ky është një hap i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, pasi anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për të garantuar paqen dhe stabilitetin,” tha Costa.
Ai gjithashtu njoftoi se do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor në mes të muajit maj për të intensifikuar përpjekjet për anëtarësimin e këtyre vendeve dhe për të diskutuar përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj.
Presidenti Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian për të arritur rezultate pozitive në procesin e anëtarësimit. “Bashkë, të bashkuar, jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë,” tha ai, duke nënvizuar domosdoshmërinë e unitetit për të përballuar sfidat e përbashkëta.
Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj, do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar për progresin e integrimit të Shqipërisë dhe për të forcuar lidhjet mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Në përfundim të takimit, të dy liderët shprehën angazhimin e tyre për të vijuar përpjekjet për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe zhvillimit në rajon.