Bronxit i rikthehet shkëlqimi / Ndërhyrje në 8 monumente dhe 30 objekte në Memorialin e Skënderbeut

Veprat monumentale prej bronzi në territorin e Bashkisë Lezhë po i nënshtrohen një restaurimi të plotë dhe rrënjësor.
Ndërhyrja po realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashki dhe përfshin 8 vepra monumentale në qytetin e Lezhës dhe në Shëngjin, si dhe 30 objekte prej bronzi të vendosura brenda Memorialit të Gjergj Kastriotit.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi, thotë se kjo ndërhyrje ishte mjaft e domosdoshme për të ruajtur integritetin dhe vlerën historike të këtyre veprave.
Sipas tij, koha dhe faktorët atmosferikë kanë shkaktuar dëmtime të konsiderueshme, duke e bërë të nevojshme një restaurim profesional dhe gjithëpërfshirës.
Procesi i restaurimit pritet të përfundojë në javët në vijim dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë të Bashkisë së Lezhës për mirëmbajtjen dhe promovimin e pasurive kulturore në territorin e saj.