Brahim Diaz i pandalshëm, kualifikon Marokun në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës
Pas Senegalit, është Maroku që kalon në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës. Në Rabat, në një çerekfinale plot me presion dhe histori, Maroku rrëmbeu skenën dhe nuk e lëshoi më.
Të zotët e shtëpisë, në kërkim të titullit që mungon prej gjysmë shekulli, nuk e lejuan Kamerunin “t’i kafshonte”, siç ka bërë shpesh, duke prishur festën e vendit organizator. Fitore 2-0 për marokenët, që presin të mësojnë kundërshtarin nga ndeshja Algjeri-Nigeri.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ndërsa rreziku për Kamerunin vjen nga dyshja Hakimi-Ezzalzouli, që ndez duelin. Goli vjen në minutën e 26-të nga një goditje këndi, ku El Kaabi devijon me kokë dhe Brahim Diaz mbërrin i pari në trajektore, duke shënuar nga shumë afër. Me këtë gol konfirmohet fakti se me ish-lojtarin e Milanit në fushë Maroku e nis gjithmonë në avantazh.
Kameruni provon të riorganizohet, por pa mundur të rrezikojë portën e Bono. Maroku kërkon golin e sigurisë dhe në anën tjetër mbyll mirë hapësirat. Në fushë për vendësit futen dhe En Nesyri e Amrabat. Shpresat e Kamerunit marrin fund në minutën e 74-t, kur Saibari dyfishon shifrat. Maroku vazhdon përpara nën shenjën e Brahim Diaz.
