Braçe: Shpërndarja e bonusit, një çift pensionistësh merr deri në 30 mijë lekë, përveç rritjes në janar, në 2026 një tjetër bonus nga rritja ekonomike

Braçe, është ndalur te

Në seancën e sotme parlamentare, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është ndalur te çështja e mbështetjes financiare për kategoritë më të prekshme, duke konfirmuar nisjen e shpërndarjes së bonusit të fundvitit dhe paralajmëruar ndryshime të tjera në vitin 2026.

Gjatë kohës së dedikuar për problemet e zgjedhësve, Braçe bëri një bilanc të mbështetjes direkte që po marrin pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar këtë dhjetor.

Bonusi i dytë dhe llogaritja për familje

Sipas deputetit socialist, akti i shpërblimit tashmë është bërë efektiv dhe paratë kanë filluar të kalojnë te qytetarët.

“Ka filluar që të ndahen 10 mijë deri në 15 mijë lekë për të moshuarit. Për një çift të moshuarish, vlera e përfituar shkon deri në 30 mijë lekë,” deklaroi Braçe.

Ai theksoi se ky është bonusi i dytë për vitin 2025, pas atij të shpërndarë në pranverë.

“Duke mbledhur të dy bonuset, natyrisht që shkojmë në parametrat e një pensioni plus,” tha ai, duke iu referuar konceptit të pensionit të 13-të.

Pavarësisht bonuseve, Braçe pranoi se nevoja për rritje është reale. “Jo, nuk mjaftojnë,” theksoi ai prerë, duke zhvendosur vëmendjen te reforma që hyn në fuqi vitin tjetër.

Sipas Braçes, data 1 Janar shënon fillimin e rritjes së qëndrueshme të të ardhurave për të gjithë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar.

Për më tepër, ai hodhi dritë mbi një mekanizëm të ri që pritet të aplikohet në vitin 2026.

“Viti duhet të mbyllet ashtu siç është parashikuar nga qeveria, duke llogaritur dhe një bonus tjetër në raport me rritjen ekonomike, që mund të ekzekutohet gjatë vitit 2026,” përfundoi Braçe.