Botërori i Skive në RTSH/ Colturi gati për garën e radhës, provon veten në slalom në Kurshevel

Colturi gati për garën

Kupa e Botës në Ski vijon me etapën e nëntë, e cila do të zhvillohet të martën më 16 dhjetor. Lara Colturi vjen në këtë garë me formën e saj më të mirë teksa mban vendin e tretë në renditjen botërore me 302 pikë. Ajo ka zbritur një vend më poshtë në renditje për shkak se nuk ka marrë pikë në konkurrimin në superslalomin gjigant, disiplinë kjo, në të cilën skiatorja jonë nuk merr pjesë. Alise Robinson është ngjitur në vendin e dytë me 394 pikë, ndërsa ruan vendin e parë Michaela Shiffrin me 458 pikë.

Në Kurshevel konkurrohet në slalom, një disiplinë e preferuar kjo për Lara Colturin, ku ajo ka marrë edhe tri medalje deri tani, dy argjendi dhe një bronxi. Ndaj me performancën e saj të martën në Kurshevel, ajo mund të përmirësojë renditjen e përgjithshme.

Lëshimi i parë në pistën franceze do të jetë në orën 17.45 dhe i dyti në 20.45. Por konkurrenca në këtë Kupë Bote të Skive do të bëhet më e fortë me rikthimin e dy emrave të mëdhenj të këtij sporti, Federica Brignone dhe Lindsey Vonn.

Skiatorja italiane ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në konkurrimin superslalomin gjigant në garën e javës së kaluar. Edhe legjenda e skive Lindsey Vonn bëri një performancë të shkëlyer në garën e javës së kaluar duke i mahnitur të gjithë me formën e saj sportive.