Borë, ngrica dhe reshje shiu / Vështirësi në disa akse të qarkut Shkodër
Reshjet e dendura të shiut, të shoqëruara me borë dhe ngrica në zonat malore, kanë krijuar probleme në disa akse rrugore të Qarkut Shkodër, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Situata më problematike raportohet në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, ku në vendin e quajtur “Shkallë Logje” ka ndodhur shembje e një pjese të rrugës si pasojë e reshjeve intensive.
Për arsye sigurie, qarkullimi është ndërprerë, ndërsa nga shërbimet publike të Bashkisë Shkodër është vendosur sinjalistikë paralajmëruese.
Në zonat malore, borëpastrueset kanë qenë në punë gjatë gjithë natës për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth, i cili mbrëmjen e kaluar u bllokua përkohësisht, duke krijuar vështirësi për rreth 200 automjete. Aktualisht, rruga është e hapur, por prania e borës dhe ngricave mbetet problematike, ndaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të qarkullojnë me kujdes dhe të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.
Në Malësinë e Madhe, reshjet kanë pushuar, por probleme vijojnë në aksin Tamarë–Vermosh, ku ngricat kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen e vazhdueshme me kriposje dhe mirëmbajtje nga tre mjete borëpastruese. Autoritetet paralajmërojnë se rruga e Vermoshit mbetet e rrezikshme për shkak të akullit, ndërsa aksi i Razmës është plotësisht i kalueshëm.
Në Bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut janë ndërprerë, por janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative.
Grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit.
Situata paraqitet më e vështirë në Fushë-Arrëz, ku vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Janë shënuar rënie gurësh dhe dherash në disa rrugë rurale, por sipas autoriteteve, të gjitha akset mbeten të kalueshme dhe qarkullimi po zhvillohet pa probleme madhore.
Në territorin e Bashkisë Pukë, reshjet e shiut dhe era e fortë vijojnë, por deri në këto momente nuk raportohen situata problematike.
Autoritetet sigurojnë se nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinaturat apo në digën e Rezervuarit të Shkodrës.
Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër, si dhe të Rezervuarit të Shkodrës, mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje, ndërsa hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Çasit janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri.
