Borë edhe në Shkodër / Përmirësohet situata me përmbytjet, shiu i lë vendin borës
Rreth 220 ha tokë ndodhen të përmbytura në Bashkinë Shkodër.
Pjesa më e madhe është në zonën e Obotit rreth 100 ha, po ashtu 100 ha në Velipojë, dhe 20 ha në zonën e Dajçit.
Lajmi i mirë mbetet fakti se nuk ka më banesa me prezencë uji në asnjë prej bashkive të qarkut Shkodër.
Argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit, si dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.
Ndërkohë, lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike.
Për disa minuta, Shkodra u përball me reshje të dendura dëbore duke krijuar më shumë atmosferë në qytet. Ata që iu gëzuan më shumë padyshim ishin fëmijët.
Në zonat malore, trashësia e dëborës i ka kaluar 50 cm.
Qafë Thorja dhe Vermoshi mbajnë peshën më të madhe në këtë situatë. Mjetet e kontraktuara janë angazhuar gjatë paradites për kriposjen e rrugës. Apeli u drejtohet drejtuesve të automjeteve që të qarkullojnë me zinxhirë.
