Bogë–Theth rrezik nga ortekët në Qafë Thorë / ARRSH: Mbyllje të përkohshme për siguri
Rruga Bogë–Theth, e cila u mbyll për disa orë mesditën e së mërkurës për shkak të aktivizimit të ortekëve në zonën e Qafë Thorës, është rihapur për qarkullim në orët e mbrëmjes.
Megjithatë, për shkak të kushteve të paqëndrueshme të motit, ekziston mundësia e ndalimit të përkohshëm të qarkullimit në këtë aks.
Si pasojë e reshjeve të shumta të borës, në një segment rrugor me gjatësi rreth 550 metra, vijon të jetë prezent rreziku i rënies së ortekëve nga shpatet malore. Ky rrezik shtohet veçanërisht gjatë orëve të mesditës me diell, kur nis procesi i shkrirjes së borës.
Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se, gjatë ditëve me mot të kthjellët dhe për arsye sigurie, do të ketë mbyllje të përkohshme të qarkullimit deri në momentin kur temperaturat ulen dhe bora ngrin sërish.
Edhe ndërhyrja e firmave kontraktore për pastrimin e rrugës paraqitet e rrezikshme deri në stabilizimin e masës së borës në shpatet malore.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, qarkullimi gjatë intervaleve kur lejohet lëvizja e mjeteve do të realizohet me asistencën e punonjësve të kompanisë së mirëmbajtjes.
Ndërkohë, drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna në terren.
Sa i përket akseve të tjera rrugore në zonat malore të qarkut Shkodër, të cilat prej disa ditësh janë përfshirë nga reshje bore dhe ngrica, Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Shkodër bën me dije se: Akset Qafë Mali–Fierzë dhe K. Hadroj–Qafë Bënë kalohen vetëm me goma dimërore ose zinxhirë.
Ndërsa akset Dedaj–Razëm dhe Hani i Hotit–Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit dhe sinjalistikës rrugore.
