Bllokohet projekti turistik / Banorët e Baks- Rrjoll ndalojnë makineritë, kërkojnë marrëveshje për tokat e trashëguara
Miratimi i projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Baks-Rrjollit, Velipojë, nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka rikthyer protestat e banorëve.
Mëngjesin e kësaj të Hëne ata kanë ndërprerë punën e makinerive, duke shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre lidhur me projektin.
Sipas banorëve toka ku po zhvillohen punimet është pronë e trashëguar ndër breza dhe ata nuk janë të gatshëm ta lëshojnë pa një marrëveshje të drejtë me sipërmarrësin Bashkim Ulaj.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik multifunksional, i përbërë nga 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.
Në përbërje të resortit përfshihet gjithashtu një strukturë hoteliere me 1 dhe 3 kate mbi tokë, si dhe disa ndërtesa me funksion social dhe kulturor.
Resorti pritet të zhvillohet në një nga zonat bregdetare të veriut të vendit, e përfshirë në planet për zhvillim turistik, ndërsa zbatimi i projektit do të ndjekë fazat përkatëse të ndërtimit sipas lejes së miratuar.
