Bisedimet e paqes në Stamboll – Putin nuk merr pjesë, tërhiqet edhe Zelensky

Putin nuk merr pjesë

Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Ukrainën, që do të zhvillohen këtë të enjte (15 maj) në Stamboll.

Menjëherë pas njoftimit të Kremlinit, një zyrtar amerikan tha se edhe presidenti amerikan Donald Trump nuk do të marrë pjesë në bisedime. Ai më parë kishte sugjeruar se do të udhëtonte për në Turqi vetëm nëse Putini do të ishte i pranishëm.

Presidenti ukrainas, Zelensky do të jetë sot në kryeqytetin turk, Ankara, për t’u takuar me presidentin Recep Tayyip Erdogan, mirëpo edhe ai ka thënë se do të merrte pjesë në bisedimet me Rusinë në Stamboll vetëm nëse Putini do të ishte atje.

Këshilltari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak, ka deklaruar se nëse presidenti rus nuk shkon në Stamboll për takimin me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, atëherë negociatat mund të anulohen.

Zelensky e sfidoi Putinin në një takim ballë për ballë në Turqi, pasi udhëheqësi rus bëri thirrje për negociata të drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë në Stamboll. Presidenti amerikan Trump u ka kërkuar dy palëve të firmosin pa vonesë një armëpushim 30-ditor për të pushuar luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Putini ka thënë se më parë duhen diskutuar detajet e armëpushimit, ndërsa një deputet rus shtoi të mërkurën se pjesë e diskutimeve mund të jetë edhe shkëmbimi i të burgosurve të luftës.

Putin dhe Zelensky nuk janë takuar personalisht që nga dhjetori i vitit 2019.