Berisha: Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i përgatitur para zgjedhjeve. Raporti për farsën elektorale është gati

Berisha

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor i cili rrëzoi paditë e ngritura nga koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), të cilat kërkonin shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të zhvilluara më 11 maj në qarqet Lezhë, Gjirokastër, Kukës dhe Korçë.

Berisha deklaroi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor ka qenë i përgatitur para zgjedhjeve të 11 majit.

“E mori këtë vendim para datës 11 Maj apo më vonë, thua ti? E ka pasur të gatshëm, të përgatitur. Mos o burrë, ai ka qenë i përgatitur.  Po t’ia kontrollosh datën, të garantoj se ka qenë data 28 Prill”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati bëri me dije më tej se raporti që kanë përgatitur mbi shkeljet e procesit zgjedhor, të cilën e cilësojnë si farsë elektorale, është gati dhe i është dërguar institucioneve të cilat vëzhguan zgjedhjet.

“Vetë procesi është, por në tërësi është gati. Domethënë po ndiqet kjo praktikë. Në qoftë se po e marr pak me arbitraritet shifrën, në qoftë është i përfunduar në masën 95 përqind të tij, 95 përqind e tij është dërguar pranë institucioneve që vëzhguan zgjedhjet. Pra është dërguar. Pastaj kjo do kompletohet dhe do dërgohet si libër. Por kjo është arsyeja”, shtoi ai.

Më tej, Berisha ka shpjeguar edhe arsyen e mosparaqitjes së tij në SPAK, duke sqaruar se ka kaluar një gjendje gripale.

“Është e vërtetë, por unë jam transparent. Nuk bëj si ai tjetri që të shkarkojë Komandantin e Gardës pse infermieret nxjerrin lajmin. Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun. Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë. Kjo është.

Pra edhe njëherë. Dy standarde. U shkarkua Komandanti i Gardës, në fakt në transparencë është për këtë, por thelbi i shkarkimit të këtij është bota e krimit. Do ta merrni vesh shpejt.

Po bëhet një investigim. Por ai u shkarkua pikërisht të nesërmen e disa procedurave spitalore, në të cilat nuk pati asnjë test serioz për ato që duhet të kishte”, tha ai.