Berisha prezanton programin për turizmin: Mbështetje nga shteti për pagat jashtë sezonit, investim dhe në infrastrukturë

Berisha prezanton programin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin për zhvillimin e turizmit në vend, me theks të veçantë në formalizimin e sektorit, mbështetjen e punonjësve dhe investimet në infrastrukturë.

Në një deklaratë për media, Berisha tha se shteti do të marrë përsipër një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike gjatë periudhës jashtë sezonit, duke ndjekur modele të ngjashme me ato të vendeve si Greqia dhe Italia.

“Do bëjmë gjithçka për formalizimin e turizmit dhe për kushte të barabarta. Shteti do të mbështesë punonjësit jashtë sezonit turistik, për të garantuar që ata të mos fillojnë çdo vit nga e para,” u shpreh Berisha, duke theksuar se një trajtim i tillë i punonjësve është i domosdoshëm për të siguruar vazhdimësinë e cilësisë në këtë sektor.

Ai shtoi se programi përfshin gjithashtu përpjekje për të zgjatur sezonin turistik gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar potencialin e vendit në çdo stinë. “Shqipëria ka resurse të mrekullueshme që mund të tërheqin vizitorë gjatë gjithë vitit. Ne kemi nisur punën me infrastrukturën në zona si Çajupi, Vermoshi e Valbona, dhe do vazhdojmë në çdo vend ku ka potencial,” theksoi ai.

Berisha vuri në dukje se turizmi është një motor i fuqishëm për ekonominë vendase, duke ndikuar drejtpërdrejt jo vetëm në sektorin e shërbimeve, por edhe në prodhimin bujqësor, blegtoral dhe artizanal.

Ne do bëjmë gjithçka që produktet ‘Made in Albania’ të lidhen ngushtë me industrinë turistike,” deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi ashpër ndërtimin e aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si një projekt të vendosur në mënyrë të gabuar dhe me pasoja të rënda për mjedisin.

Ne nuk ishim kundër ndërtimit të aeroportit, por kundër vendndodhjes së tij. Ai prek një habitat mijëravjeçar që nuk mund të zëvendësohet. Kishim sugjeruar një tjetër zonë, midis Vlorës dhe Fierit, larg habitateve natyrore,” sqaroi ai.

Berisha akuzoi qeverinë për abuzime dhe pasurim personal nëpërmjet projektit, duke thënë se ndërtimi i një aeroporti të përmasave të mëdha në një qytet me kapacitete të kufizuara turistike është ekonomikisht i pajustifikueshëm.

Ai e quajti kontratën e ndërtimit “një formë gjobitjeje ndaj vendit”, pasi parashikon që shteti të subvencionojë çdo biletë që nuk e arrin pragun e 600 mijë udhëtarëve në vit.

“Këto janë çështje që do të adresohen me transparencë dhe me parimin e pastrimit të shtëpisë që kemi në program,” përfundoi Berisha.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.