Berisha: Përmbytjet, shkak i mospastrimit të kanalizimeve dhe mospastrimit të hidrovoreve
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar për situatën e krijuar në vend si pasojë e reshjeve e përmbytjeve dhe në një moment kur Ministria e Mbrojtjes shpalli urdhër-evakuimin për banorët e tri fshatrave në njësinë administrative të Novoselës.
Berisha përsëriti sërish thirrjen ndaj qeverisë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ndërsa e lidh mosshpalljen e saj me argumentin se qeveria sipas tij, nuk do të kompensojë qytetarët për humbjet e krijuara nga fatkeqësia.
“Dhjetëra-mijëra qytetarë kanë shtëpitë e tyre të përmbytura, kanë bizneset e tyre të përmbytura, kanë jetën e tyre të kërcënuar, qeveria jo vetëm që nuk vendos gjendjen e fatkeqësisë natyrore që detyron shtetit të mobilizojë të gjitha burimet, për të shpëtuar e nxjerrë nga rreziku banorët e zonave të kërcënuara e përmbytura, lëshon tallje cinike n të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjen ne Greqi e Itali, një fantazi e sëmurë. Para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, mosshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyre, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur. Mosshpallja vjen pasi nuk duan të kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre të krijuara nga fatkeqësia”, deklaroi ai.
Duke u ndalur te zonat e përmbytura, Berisha hodhi akuza se situata përpos reshjeve, u favorizua nga mospastrimi i kanalizimeve dhe mosfunksionimi i hidrovoreve.
“Durrësi është përmbytur padiskutim se reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedentë është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe funksionimit të hidrovorëve, Porto Romano dhe zonës sipër Bishtit të Pallës.
Këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, nuk evakuojnë.
Hidrovori i Hamallës, i ka pompat e djegura. Kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar.
Në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë apo bizneset e tyre.
Situatë dramatike në Novoselë. Bashkia Vlorë ka bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm,
Lumi Vjosa është me rrezikshmëri të pakrahasueshme me lumenj të tjerë të vendit me befasinë e prurjeve të tij”, tha Berisha.
