Berisha: Në qeverisjen tonë, asnjë ministër nuk u mbrojt nga drejtësia
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se kur ai qeveriste vendin nuk mbrojti asnjë ministër të kabinetit të tij.
Duke folur në foltoren e demokratëve në Manzë të Durrësit, Berisha tha se si forcë politike Partia Demokratike ka bërë gabime, por sipas Berishës, ai i ka pranuar gabimet dhe “kemi kërkuar ndjesë, kemi, kemi pranuar gabimet, i kemi korrigjuar gabimet”.
“Korrupsioni, ta marrim korrupsionin. Kudo ka një korrupsion të caktuar. Por, aty ku, kryeministri, presidenti janë të pakorruptuar, aty lufta kundër korrupsionit është e garantuar.
Pra, gjatë viteve të periudhës sonë, cili nga ju mund të imagjinonte demokratë e demokratë në këtë sallë që të kërkonte prokurori heqjen e imunitetit të ministrit dhe t’i dilja unë përpara, t’i dilte kryeministri përpara dhe t’i bllokonte, kurrë. Kurrë! Po pse? Se prokurori, prokurori me të drejtë apo me të padrejtë, me aktin e tij po mbronte ju, po mbronte interesat tuaja, po mbronte paratë tuaja, po mbronte taksat tuaja. Dhe vetëkuptohet, kryeministri s’mund të ishte kurrë në anën tjetër”, tha Berisha para demokratëve.
Berisha vuri në dukje më tej se në periudhën e qeverisjes së tij kishte korrupsion por numri i të dënuarve ka qenë tre herë më i madh se sot.
“Nuk i lëshuam ato. Ju them unë ju, a kishim ne korrupsion? Po. Por sa është numri i të dënuarve për korrupsion gjatë periudhës sonë? Tre herë më i madh se sot. Tre herë më i madh se sot. Kanë dënuar në dy vite 199 persona, janë dënuar në dy vite 630 zyrtarë.
Ministra? Jo, ministrat nuk kishin të bënin me tenderat se atë e hoqëm, atë e hoqëm që javët e para ne në qeveri. Ligjin, ministri nuk mund të jetë kryetari i autoritetit kontraktues. I ka marrë, i ka marrë dosjet Edi Rama me qindra e qindra herë.
S’ka mundur, sepse ky ka qenë ligji. Kurse ju e patë se si bën kjo me telefon, me mesazhe nga Rama atje duke përcaktuar tendera dhe çdo gjë. Pra, ne mbetëm pas 35 viteve përsëri. U krijuan forca të tjera politike, vetëm e vetëm, disa dolën nga ne, të tjerët kështu”, tha Berisha.
Ai shtoi se përgjatë 12 viteve opozita është shtypur nga qeveria, “e diskriminuar në shkallë ekstreme, e vërteta është edhe me padrejtësi të mëdha ndërkombëtare ndaj nesh, siç dihet, ne shqiptarët prapë na mbajnë në krye. Na mbajnë shqiptarët në krye dhe ne do i mbajmë shqiptarët në krye. Ata besojnë tek ne se ne do t’i shpëtojmë nga kjo qeveri”.
