Berisha në Asamblenë e OSBE: Kam vetëm një kërkesë, ndihmoni Kombin tim të votojë i lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë.
Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha, në fjalën e mbajtur sot para Asamblesë ka theksuar nevojën që Shqipërisë t’i kthehet institucioni i zgjedhjeve të lira, përkundër sicc thekson ai, farsës elektorale, si në diktaturë.
Sipas Berishës, pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Ndaj sot, në emër të opozitës shqiptare, kërkoj nga ky institucion i nderuar: Së pari, të mbështesni raportin paraprak të ODIHR (Gjithçka që ju përmenda është e shkruar në raportin paraprak të ODIHR).
Së dyti, iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është jetike për vendin tim, që ndodhet në një moment shumë të vështire”, deklaroi Berisha.
Ai i ka informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet e 11 majit dhe ka parashtruar pretendimet për shkelje të makinerisë elektorale të partisë-shtet të Edi Ramës që prodhuan farsën zgjedhore e cila vihet në pah edhe në raportin e OSBE-ODHIR.
“E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, cdo punonjes i saj duhet te kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale. Çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet.
E gjithë struktura qeveritare, të gjitha institucionet shtetërore, u përdorën për të dhënë në ditët e fundit para zgjedhjeve leje ndërtimi, leje legalizimi, certifikata pronësie e shumë shërbime të tjera publike. Po ashtu, mjete të tjera logjistike dhe i gjithë shteti u përdor në këto zgjedhje. Partia dhe shteti ishin NJË, ashtu siç u përmend në raportin paraprak të ODIHR.
Kjo është arsyeja pse procesi zgjedhor ishte një farsë e paralajmëruar.
Dita e zgjedhjeve ishte edhe më keq. Kartelet e drogës diktuan rezultatin për 28 deputetë, disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste (Kryeministri Edi Rama)”, tha ai.