Berisha në Asamblenë e OSBE: 45% e popullatës është larguar në 10 vjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE, që zhvillohet në Porto të Portugalisë. Në krye të një delegacioni të opozitës, Berisha, në fjalën e mbajtur edhe sot para Asamblesë ka folur për dramën e shpopullimit të Shqipërisë dhe të narkorritjes së ekonomisë.
Berisha deklaroi se 45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve.
“Sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të zones Shengen. Dhe këtu nuk përfshihen ata që kanë ikur në vende apo rajone të tjera. Nëse u referohemi disa organizatave të tjera ndërkombëtare, studimet e tyre janë jashtëzakonisht dramatike në lidhje me Shqipërinë. OKB njoftoi disa muaj më parë se Shqipëria është vendi me rënien më të madhe të lindshmërisë në botë, për shkak të emigracionit. Statistikat e vendit tim tregojnë se shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh”, deklaroi ai.
Sipas kryedemokratit, Shqipëria është narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë. “Dhe fatkeqësisht, kjo nuk njihet ende mirë si një fakt”, shtoi ai.