Berisha: Kutitë e votimit u zëvendësuan në qendrat zgjedhore. Do kërkojmë Komision Hetimor për udhëtimet e Ramës me çarter

Kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta jo vetëm kundrejt abuzimit siç e konsideron ai me votat e kutitë e votimit, por edhe kundrejt kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për medie, Berisha ka publikuar disa të dhëna ku pretendon se kutitë e votimit pasi janë mbushur me vota, janë zëvendësuar më pas në qendrat zgjedhore.
Sipas kryedemokratit, nuk mundet kurrsesi që të dalin më shumë fletë votimi nga ajo që është deklaruar në procesverbal.
Ai thekson se përpos numrit më të lartë, në fletët e votimit është konstatuar mungesa e vulës së komisionerëve dhe shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI.
“Mund të them se këto qendra votimi që rreshtoj këtu dhe shumë e shumë të tjera, ngjallin dyshime të forta se përveç Trenit Bullgar është përdorur edhe mbushja dhe zëvendësimi i kutive të votimit me kuti të tjera.
Qendra e votimit 2247, janë konstatuar tre fletë votimi që janë konsideruar të pavlefshme, ndërkohë që ishin të vlefshme. Janë gjetur në kutitët e votimit 9 fletë më shumë nga ajo që deklarohet në procesverbalin 08.
Këto fletë votimi më shumë se ç’deklarohen, nuk kanë të bëjnë me atë qendër votimi, sikundër kjo ngjall dyshime të forta se ajo kuti është e mbushur dhe ka zëvendësuar kutinë e qendrës. Në asnjë rrethanë nuk mund të dilnin 9 fletë votimi më shumë se ç’duhet të ishin.
Qendra e votimit 2251, në këtë kuti mungojnë vulat që vulosin komisionerët. Tani e kuptoni vetë pra, e kuptoni se kjo kuti nuk ka të bëjë me komisionerë, ka të bëjë me patronazhistët. Mungon shiriti përmbledhës i votuesve i gjeneruar nga pajisja PEI”, deklaron Berisha.
Ky i fundit shton se zgjedhjet e 11 majit janë të paligjshme dhe se opozita nuk do i njohë kurrë.
“Këto të dhëna hedhin poshtë përfundimisht farsën elektorale të 11 Majit 2025 dhe pikërisht bazuar në këto të dhëna dhe qindra e mijëra të tjera që kemi paraqitur para jush, PD deklaron se këto zgjedhje janë të paligjshme.
Se këto zgjedhje janë një farsë e vërtetë elektorale, të cilat nuk shprehin vullnetin e shqiptarëve dhe nuk do njihen nga PD”, tha ai.
Berisha deklaron më tej se Qarku Elbasan dhe Durrës janë zonat ku kërcënimi për votat ka qenë më i madh.
“Vota vdiq pa hy në kuti.Elbasani dhe Durrësi janë zonat ku dora e karteleve, kërcënimi i vrasësve serial të karteleve ka qenë më i madh”, theksoi ai.
Më tej, Berisha u ndal edhe te udhëtimet me çarter të Kryeministrit Edi Rama. Ai deklaroi se PD do kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të hetuar se çfarë transporton kryeministri gjatë udhëtimeve diplomatike.
“Ne do kërkojmë sepse, dhe do kërkojmë dhe mbështetje ndërkombëtare, për të hetuar si këto shpenzime ashtu dhe baulet diplomatike. Se kur udhëton kryeministri zakonisht udhëton me valixhen e tij, por nëqoftëse ka një seri të pafundme baulesh, aty thuhet se është transportuar, janë trafiqe ilegale, monedhash, droge, apo ku ta di unë, nuk mund të them, sepse duhet hetimi. Por të dhënat i kam absolutisht shumë të qarta, informacionet më fal”, tha Berisha.