Berisha: Jam i hapur dhe i mirëpres partitë e reja pa kushte
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim online me qytetarët, ku theksoi se është i hapur dhe i gatshëm të mirëpresë pa kushte partitë e reja opozitare për bashkëpunim.
Berisha e cilësoi diasporën si një çështje madhore për opozitën, duke garantuar se roli, angazhimi dhe kontributi i saj do të trajtohen me prioritet.
“Jam i hapur dhe i mirëpres partitë e reja pa kushte. Ju garantoj se dimensioni i problemit të diasporës është një çështje madhore për ne, dhe ne do bëjmë gjithçka për elaborimin sa më të shpejtë dhe të saktë të të gjithë rolit të saj, angazhimit dhe kontributit të saj. Por edhe njëherë shfrytëzoj këtë rast të ftoj diasporën, të organizojë protesta më të fuqishme para përfaqësive të narkoshtetit kudo që ndodhen, para institucioneve ndërkombëtare në mënyrë që të demaskohet Edi Rama dhe përfaqësitë e tij“, u shpreh Berisha.
Në lidhje me partitë e reja, Berisha bëri një ndarje mes tyre, duke thënë se disa forca të majta nuk e shohin të arsyeshëm bashkimin kundër asaj që ai e quajti “e keqja e madhe”. Megjithatë, ai shprehu shpresën që këto forca të reflektojnë, duke theksuar se përballë situatës aktuale, bashkimi është i domosdoshëm.
Ai konfirmoi gjithashtu mbështetjen e tij për protestat e Partisë “Shqipëria Bëhet”, duke u shprehur 100% i hapur për bashkërendim me këtë dhe çdo parti tjetër opozitare, me qëllim krijimin e pikave të përbashkëta kundër asaj që e cilësoi “narkoshtet” dhe “narkoqeveri”.
“Unë absolutisht jam shumë i hapur dhe i mirëpres pa kushte ato. E vërteta është që partitë e reja duhet t’i dallojmë pak. Njëra prej tyre është e majtë dhe duket nuk e konsideron me vend apo të arsyeshme të bashkohet kundër të keqes së madhe që quhet Edi Rama. Uroj që drejtuesit dhe forumet e saj të kuptojnë se përballë kësaj të keqeje, bashkimi është imperativ.
Partia “Shqipëria Bëhet” po proteston dhe unë kam mbështetur protestën e saj dhe jam 100% i hapur ndaj asaj dhe çdo partie opozitare të bashkërendojmë përpjekjet dhe luftën tonë kundër kësaj të keqeje. Uroj që gradualisht të gjendet në pikat e përbashkëta kundër narkoshtetit dhe kundër narkoqeverisë”, tha ai.
