Berisha: Askush nuk mund të ndikojë në vullnetin e sovranit, KZAZ të zbatojë ligjin

Berisha

Pak pas mbylljes së procesit të votimit, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje për mediat, deklaroi se nëpërmjet votës, populli ka folur “në mënyrë vendimtare”. Ai u bëri thirrje komisionerëve nëpër KZAZ-të, që në procesin e numërimit të zbatojnë vetëm ligjin.

Berisha kërkoi që votat të numërohen pa presione. Kreu i PD-së nga ana tjetër deklaroi se në qarkun e Durrësit “bandat me urdhër të kryeministri Rama kërkojnë të ndikojnë në rezultat”.

“Të dhëna operative nga mbarë vendi dëshmojnë se në zonat tradicionale të qendrës së djathtë ka një rritje të ndjeshme të elektoratit dhe priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Por unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duart e komisionerëve, në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës, bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zonat e tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve. Porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji.”, tha Berisha.

Sipas tij, asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet nën presion.

“Garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato grupe terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë e kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë. Populli ka folur në mënyrë vendimtare”, tha Berisha.

Kreu i PD-së, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë edhe sondazhet e publikuara pas mbylljes së procesit të votimit, duke i konsideruar ato si të porositura nga kryeministri Edi Rama.

“Lidhur me një exit- poll të pretenduar nga gënjeshtari i gatshëm. Baton Stanishiqi është gënjeshtari i gatshëm, që nuk bëri asgjë tjetër, veçse pa bërë asnjë exit-poll, lexoi apo konvertoi në poll, memorandumin e Kuçit. I them Edi Ramës, se me pilula të tilla, do mbetesh shumë shpejt për një kohë të gjatë pa gjumë. Janë realisht orët e fundit e tij në pushtet. Prandaj mos përdor gënjeshtarë të gatshëm, papagaj, të cilët janë të aftë të deklarojnë çdo gjë përkundrejt pagesave”, tha Berisha.