Begaj uron Kurtin për fitoren në zgjedhje: Vullneti i qytetarëve të shndërrohet në përgjegjësi institucionale
Presidenti Bajram Begaj ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetori, ndërsa ka vlerësuar procesin demokratik dhe vullnetin e shprehur nga qytetarët e Kosovës.
Përmes një mesazhi urimi, kreu i shtetit shqiptar theksoi se qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për zgjedhjen e institucioneve të reja që do të qeverisin vendin.
“Urime Kosovë! Urime Albin Kurti! Qytetarët e Kosovës shprehën vullnetin e tyre demokratik për institucione të reja që do të qeverisin vendin,” thuhet në mesazhin e presidentit Begaj.
Ai shprehu gjithashtu besimin dhe urimin që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.
“Uroj dhe besoj që kjo votë të shndërrohet në përgjegjësi institucionale, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një të ardhme të begatë, të drejtë dhe evropiane,” përfundon Begaj.
Sipas numërimit paraprak të votave, Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, ka dalë forcë e parë edhe në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, duke marrë rreth 50 për qind të votave. Ky rezultat i jep Vetëvendosjes një avantazh të rëndësishëm për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë.
/rtsh.al/
