Begaj: Pavarësia e sistemit gjyqësor, gur themeli i patjetërsueshëm, por s’duhet të kthehet në vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie
Në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vuri theksin tek rëndësia e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar atë si një gur themeli i patjetërsueshëm i rendit kushtetues. Presidenti theksoi se boshti i reformës ka qenë pavarësia e gjyqësorit, e cila tashmë ka fituar autonomi të plotë.
Megjithatë, sipas tij, pavarësia duhet të ecë krah për krah me përgjegjësinë, teksa theksoi se kjo pavarësi nuk duhet të kthehet në vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie.
Begaj nënvizoi se ky vit duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi drejt një faze të drejtësisë funksionale dhe të qëndrueshme, duke garantuar standarde europiane dhe një sistem gjyqësor efektiv.
“Drejtësia funksionon kur ajo respektohet jo vetëm deklarohet. Boshti i reformës në drejtësi ishte pavarësia e gjyqësorit. Sot gjyqësori është i juaji, sistemi i drejtësisë ka fituar autonomi të plotë. Por pavarësia shkon domosdoshmërish krah për krah me përgjegjësinë. Edhe funksionimi, integriteti dhe besueshmëria e sistemit ët drejtësisë janë në radhë të parë përgjegjësia e juaja. Pavarësia e sistemit të drejtësisë është gur themeli i patjetërsueshëm i rendit tonë Kushtetues. Pavarësia e gjyqësorit nuk duhet kuptuar vetëm si ndarje formale nga pushteti politik, ajo është aftësi reale e sistemit të drejtësisë për të ushtruar funksionet pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive dhe në përputhje me standardet europiane. Por kjo pavarësi nuk duhet të kthehet në vetëizolim institucional apo mungesë llogaridhënie. Ky vit duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale dhe të qëndrueshme”, tha Begaj.
Presidenti theksoi se respektimi i vendimeve gjyqësore është kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Drejtësia funksionon kur ajo respektohet, jo vetëm deklarohet. Pavarësia e gjyqësorit nuk është thjesht ndarje formale nga pushteti politik, por aftësi reale për të ushtruar funksionet pa presione apo ndërhyrje, duke garantuar një drejtësi efektive dhe në përputhje me standardet europiane”, deklaroi ai.
Ai rikujtoi parimin se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, duke theksuar se zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë e shqyrtimit të dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve krijojnë perceptim negativ tek qytetarët për sistemin e drejtësisë
“Jo çdo gjë varet nga ju, disa i ka në dorë dhe i zgjidh qeveria e ca më shumë parlamenti. Por ato që janë në dorën tyre janë themelore për mbarëvajtjen e sistemit. Kërkohet përgjegjësi institucionale, ku vendimmarrja të jetë ushtrimi i funksionit kushtetues që garanton siguri juridike, parashikueshmëri dhe barazi para ligjit. Një tjetër parim i drejtësisë është drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve, percepton te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre. forcimi i standardeve, unifikimi i praktikave gjyqësore dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për konsolidimin e besimit publik”, u shpreh Presidenti.
