BE: Zbatimi efektiv i ligjit për të drejtën e informimit, çelësi i qeverisjes së mirë në Shqipëri
Në kuadër të Konferencës VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, në nisje të fjalës së tij vuri theksin te rëndësia e zbatimit praktik të ligjeve për të drejtën e informimit, jo vetëm miratimin e tyre në letër.
Rizzo nënvizoi se ligjet kërkojnë instrumente funksionale të transparencës institucionale, përfshirë: përgjigje të shpejta ndaj kërkesave për informacion, monitorim të regjistrave elektronikë të kërkesave dhe përgjigjeve, dhe publikim të dhënash të ripërdorshme sipas standardeve të qeverisjes së hapur.
“Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për të mbështetur forcimin e monitorimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe për të rritur kapacitetet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave”, u shpreh Rizzo.
Ai theksoi rëndësinë e informacionit proaktiv, sidomos në sektorë kyç si: prokurimi publik, arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale, tatimet dhe në nivelin e vetëqeverisjes vendore. Sipas tij, bashkitë nuk po fillojnë nga zero, pasi kanë programe të konsoliduara transparence, të ndërtuara si për institucionet qendrore të pavarura, ashtu edhe për ato vendore.
Rizzo vlerësoi gjithashtu manualin për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit, i cili përcakton qartë rolet dhe mekanizmat e koordinimit nën udhëheqjen e ministrive përgjegjëse.
“Ky është një element jetësor për parandalimin e korrupsionit, duke përdorur mjete transparente dhe mekanizma efektivë feedback-u që matin perceptimin publik dhe ndikimin real”, tha ai.
Në përfundim, Rizzo garantoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për të përmirësuar qeverisjen e mirë dhe transparencën, duke siguruar programe më të forta transparence, përgjigje më të shpejta dhe më të plota ndaj kërkesave për informacion dhe shërbime më të aksesueshme për qytetarët.
“Ky proces nuk ndihmon vetëm Shqipërinë të afrohet me objektivat e anëtarësimit në BE, por rrit edhe standardet e qeverisjes dhe të transparencës në vend”, përfundoi Rizzo.
