BE mund të vendosë detyrime ndaj automjeteve hibride kineze

automjeteve hibri

Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së detyrimeve ndaj automjeteve hibride të prodhuara në Kinë, duke zgjeruar kështu masat që aktualisht aplikohen mbi automjetet elektrike kineze.

Sipas burimeve të cituara nga portali Euractiv, ky diskutim është ende në fazë të hershme brenda ekzekutivit të BE-së, por pritet të ketë ndikim të madh në tregun evropian të automjeteve.

Detyrimet ndaj automjeteve elektrike, të vendosura në tetor 2024 dhe që arrijnë deri në 35.3%, u justifikuan nga Komisioni si masa për të luftuar subvencionet e padrejta të Pekinit.

Megjithatë, këto tarifa kanë zemëruar Kinën dhe kanë përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Brukselit dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë.

Franca ka mbështetur fuqimisht vendosjen e taksave, ndërsa Gjermania ka shprehur kundërshtime, për shkak të varësisë së lartë të prodhuesve gjermanë nga tregu kinez.

Sipas të dhënave të publikuara, eksportet e automjeteve hibride kineze drejt BE-së janë rritur me 155% gjatë vitit të kaluar, ndërsa eksportet e automjeteve elektrike janë rritur vetëm me 12%. Kjo prirje ka shtuar presionin mbi Komisionin për të zgjeruar masat edhe ndaj hibrideve.

Një zyrtar i BE-së ka theksuar për Euractiv se kabineti i Stéphane Séjourné, nënkryetar ekzekutiv i Komisionit, ka ngritur disa herë çështjen e automjeteve hibride, duke argumentuar se prodhohen në të njëjtat kushte si automjetet elektrike dhe se konkurrentët evropianë kanë nevojë për mbrojtje të barabartë.

Paralelisht, Komisioni ka publikuar udhëzime për prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike mbi mënyrën se si mund të paraqesin oferta për “angazhimin e çmimit”. Kjo u jep mundësi eksportuesve të shmangin tarifat duke shitur automjete me një çmim minimal të caktuar. Megjithatë, Brukseli ka paralajmëruar se kjo nuk nënkupton heqjen e detyrimeve ekzistuese.

Ky zhvillim vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Brukselit dhe Pekinit mbeten të tendosura, për shkak të suficitit masiv tregtar të Kinës, kontrolleve mbi mineralet kritike dhe lidhjeve të saj të thelluara me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Një zëdhënës i Komisionerit të Tregtisë, Maroš Šefčovič, nuk ka dhënë koment mbi çështjen, ndërsa zëdhënësi i Komisionit për tregtinë, Olof Gill, ka refuzuar të komentojë.