Bayern “shtyp” edhe Leipzig, bavarezët realizojnë 5 gola dhe arratisen në krye
Për një moment u duk se Bayern Munchen do të merrte një goditje në fushën e Leipzig, por ishte vetëm një “alarm fals”. Golit të vendësve bavarezët iu përgjigjën me një “manita” në pjesën e dytë, duke rritur ndjeshëm diferencën në krye të Bundesligës, 50 ndaj 39 të vendit të dytë (Borussia Dortmund).
Romulo Cardoso realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 19-të, duke i dhënë avantazhin Leipzig. Në të dytën barazoi Serge Gnabry dhe më pas realizuan me radhë Harry Kane, Jonathan Tah, Aleksandar Pavlovic dhe Michael Olise.
Një përmbysje e frikshme, që tregon edhe një herë qartë forcën e bavarezëve dhe diferencën që ata kanë me rivalët. Titulli i radhës duket vetëm çështje kohe për ekipiin e drejtuar nga trajneri Kompany.
Para ndeshjes, Kevin Kampl i dha lamtumirën ekipit të Leipzig, ku luajti për 8 sezone e gjysmë. Ai u tërhoq nga futbolli, sepse duhet të kujdeset për familjen e tij.
