Bardhi paralajmëron: PD do të bashkohet në 2024! 

Bardhi

Bardhi

Deputetët opozitarë mbeshtetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, do të vijojnë aktet e mosbindjes civile në Kuvend edhe në sesionin e ri parlamentar që nis së shpejti.

Kjo është konfirmuar nga Kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi në një intervistë për RTSH-në. 

Zoti Bardhi tha se nëse mazhoranca nuk reflekton për kërkesat e opozitës, si ngritja e komisioneve hetimore dhe rikompozimi i komisionit të Reformës Zgjedhore, deputetët mund të përshkallëzojnë aksionin, ku nuk përjashtohet mundësia e ngujimit në Parlament. 
 
Zoti Bardhi këmbëngul që mazhoranca të tërhiqet nga ligji për komisionet hetimore, pasi sipas tij me këtë nismë i heq opozitës të drejtat e kontrollit parlamentar. Ai i kërkon  presidentit Bajram Begaj, të cilit i është drejtuar edhe zyrtarisht, të mos e dekretojë ligjin e miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Ndërkohe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, e konsideron jetike për garantimin e zgjedhjeve të lira, hartimin e Reformës Zedhore sa më konsensuale mes palëve.

Ai konfirmon për RTSH-në se po negociohet me grupimin e Berishës për bashkimin e PD-së, duke qenë shpresëplotë se 2024-tra do të konkretizojë procesin.
 
Ndërkaq masa e arrestit në shtëpi për Berishën, nuk shihet nga Bardhi si pengesë për procesin e bashkimit.

Vendimarrja e deputetëve demokratë do të përcaktohet në mbledhjen e grupit, që Bardhi pritet të thërrasë këtë javë.