Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit në 2.50%, synon rritje krediti dhe stabilizim inflacioni

Guvernatori Gent Sejko

Banka e Shqipërisë (BSh) ka vendosur të ulë normën bazë të interesit, duke e çuar atë nga 2.75% në 2.50%. Ky vendim, i shpallur sot nga Guvernatori Gent Sejko në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, shoqërohet edhe me uljen përkatëse të normave të kredisë njëditore në 3.50% (nga 3.75%) dhe të depozitës njëditore në 1.50% (nga 1.75%).

Guvernatori Sejko theksoi se kjo lëvizje synon të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit drejt objektivit të Bankës.

“Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit,” u shpreh Sejko.

Ai shtoi se kjo politikë është në linjë me komunikimet e mëparshme për një qasje fleksibël dhe të bazuar në të dhënat e reja, si dhe është konsistente me kahun lehtësues të politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane.

Ekonomia shqiptare në rritje të qëndrueshme

Sejko nënvizoi se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje të qëndrueshme. Sipas të dhënave të Instat, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit. Kjo rritje ishte me bazë të gjerë, e mbështetur nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe kërkesës së huaj. Sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve shfaqën rritje, ndërsa industria dhe bujqësia vijuan me tendenca tkurrëse.

Një tjetër tregues pozitiv ishte përmirësimi i tregut të punës. Punësimi në sektorin jobujqësor vijoi të rritet, norma e papunësisë zbriti në 8.7%, ndërsa rritja e pagave u përshpejtua në 9.6% gjatë tremujorit të parë. Edhe pse kjo ecuri sugjeron rritje të të ardhurave të familjeve, Sejko theksoi se rritja e pagave mbetet një faktor rreziku për rritjen e kostove të prodhimit dhe inflacionin në të ardhmen.

Inflacioni nën kontroll dhe rreziqet e jashtme

Inflacioni ka mbetur në nivele të ulëta, me një mesatare prej 2.3% në muajt prill-maj, ndikuar nga çmime të qëndrueshme të mallrave dhe presione të dobëta të importit. Megjithatë, Guvernatori theksoi se rreziqet nga mjedisi i jashtëm, duke përfshirë tensionet gjeopolitike dhe dobësimin e ekonomisë globale, kërkojnë një politikë monetare fleksibël dhe të kujdesshme.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rikthehet në objektivin 3% në fillim të vitit 2026, i nxitur nga rritja e brendshme dhe stabiliteti financiar. Sejko përfundoi duke theksuar se ulja e normës së interesit është në përputhje me strategjinë e Bankës për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të stimuluar më tej kreditimin, pa kompromentuar stabilitetin financiar.