Balluku zbulon akset problematike pas reshjeve të shiut: Kontraktorët në terren për pastrimin e rrugëve
Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me situatën në akset rrugore të vendit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve.
Sipas Ballukut, gjatë natës reshjet kanë vijuar në të gjithë territorin e vendit, me intensitet më të lartë në juglindje, ndërsa në orët e para të mëngjesit reshjet kanë pushuar në veri. Ndërkohë, reshje dëbore janë regjistruar në segmentet Bogë–Theth dhe Qafë Mali–Fierzë.
Ministrja bën me dije se disa akse rrugore kanë pasur probleme nga rënia e gurëve dhe inerteve në trup të rrugës. Në rajonin verior, problematika janë evidentuar në akset Bajram Curri–Valbonë, Dushaj–Lekbibaj, Sopot–Kam, Qafë Mali–Fierzë, Ura e Fanit, Rrëshen–Shpal, Shpal–Fushë Arrëz, Hani i Hotit–Dogana, Vermosh, Sevaster–Kalivaç, Kukës–Shishtavec, Shpal–K/Hadroj, Kukës–Krumë, Skuraj–Burrel dhe Peshkopi–Vasije.
Ndërsa në rajonin jugor, vështirësi janë shënuar në akset Lazartë, Kardhiq–Delvinë dhe Lekël–Këlcyrë.
Balluku bën me dije se kontraktorët, së bashku me mjetet dhe punëtorët, ndodhen në terren për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit në të gjitha akset problematike.
