Balluku thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Samitin e Tranzicionit Energjetik në Athinë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Samitin për Tranzicionin Energjetik në Athinë, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të siguruar sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike.
Samiti, i cili mbulon rajonin e Evropës Juglindore dhe Mesdheut Lindor, ishte një platformë për diskutime mes ministrave të energjisë dhe përfaqësuesve të kompanive të mëdha mbi bashkërendimin e politikave dhe krijimin e planeve të përbashkëta për të ardhmen energjetike.
Në një prononcim pas përfundimit të samitit, Balluku theksoi se energjia është një nga “armët më të fuqishme të shteteve” dhe se bashkëpunimi është jetik në këto kohë të pasigurisë globale. Ajo shtoi se gjatë samitit u diskutuan disa projekte strategjike të Shqipërisë, siç janë linja nënujore e transmetimit me kompanitë italiane dhe projektet e gazifikimit me Azerbajxhanin.
“Kemi diskutuar me skuadrën shqiptare gjatë këtyre ditëve me të gjithë partnerët tanë, të cilët janë pjesë e projekteve të reja që kemi nisur, ashtu siç janë për shembull kompanitë italiane për sa i përket linjës nënujore të transmetimit apo edhe kompanitë dhe ministrat nga Azerbajxhani për sa i përket projektit të gazifikimit, por mbi të gjitha kemi diskutuar për sigurinë energjetike,” deklaroi Balluku.
Ajo shtoi se siguria energjetike në Evropën Juglindore, dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor, janë “çelësat e suksesit për të gjithë zhvillimin e agjendës së gjelbër”, siç kërkohet nga Bashkimi Evropian.
Shqipëria, tha Balluku, është angazhuar, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në energji për ndërtimin e përbashkët të Korridorit VIII, i cili do të lidhë energjetikisht Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Gjithashtu, zëvendëskryeministrja theksoi rëndësinë e bisedimeve me ministren e Energjisë britanike, e cila do të jetë edhe kryesuese e organizimit për Dialogun e Berlinit në të ardhmen. Mbështetja e Britanisë së Madhe “ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e rëndësishme për Shqipërinë,” theksoi ajo.
“Samiti i Tranzicionit Energjetik, i zhvilluar në Athinë, padyshim ishte një tjetër takim i frytshëm për të bashkërenduar punët dhe detyrat, për të punuar për qëndrueshmërinë dhe sigurinë energjetike dhe duke pasur gjithmonë parasysh mirëqenien e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duke pasur parasysh që energjia është dhe do të mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm për sigurinë e të gjithë vendeve tona,” përfundoi Balluku.