Balluku kërkon heqjen e masave të sigurisë, Apeli i GJKKO tërhiqet për vendim
Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) heqjen e masave të sigurisë të vendosura ndaj saj.
Balluku ka ankimuar në Apelin e GJKKO-së pezullimin nga detyra, masë kjo e dhënë nga GJKKO. Në seancën e mbajtur këtë të enjte (18 dhjetor), trupa gjyqësore është tërhequr për vendim.
Kujtojmë se më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori një vendim të ndërmjetëm, duke pezulluar efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, e zgjedhur deputete në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas njoftimit zyrtar, Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
