Balla në Konferencën e Kryetarëve: Duam bashkëpunimin me opozitën, por nëse tërhiqeni nuk do të bllokoni reformat
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, u shpreh se opozita nuk mund të bllokojë reformat dhe se PS është e gatshme t’i vazhdojë ato edhe vetëm, nëse opozita “humb kohen me përbetime revolucionesh”.
Balla theksoi se PS është e gatshme për bashkëpunim të plotë me opozitën për t’i dhënë Shqipërisë një Kod Zgjedhor funksional, Ndarje Administrative Territoriale të qëndrueshme, por shtoi se nëse opozita tërhiqet nga komisionet është shkelje e marrëveshjeve të arritura.
“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër.
Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund të bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju”, tha Balla.
Balla tha se PS kërkon që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku prioritet është depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore dhe se ajo duhet të jetë gati për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.
Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në shkallet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit. Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.
Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha ai.
Pas një pauze disa javore, deputetët rikthehen në Kuvend për seancën e parë plenare duke hapur zyrtarisht punimet e sesionit të ri parlamentar.
Punimet e Kuvendit do të nisin që në orët e paradites ku në fokus të diskutimeve do të jetë programimi i punës parlamentare për javët në vijim. Ky sesion parlamentar pritet të ketë një intensitet të lartë pune për shkaka të numrit të lartë të projektligjeve që pritet të kalojnë lidhur me anëtarësimin në BE.
