Balaj afër rekordit personal / Vllaznia, skuadra me një nga sulmet më efikase në Superiore
Vllaznia ka rikthyer fuqinë e saj sulmuese në momentin vendimtar të sezonit, duke shënuar tre gola në fitoren 3–2 ndaj Flamurtarit dhe duke u renditur sërish mes skuadrave më produktive të kampionatit. Pas 18 javësh, kuqeblutë numërojnë 24 gola të realizuar, duke qenë sulmi i dytë më i mirë në Superiore, pas Dinamos që kryeson me 27 gola.
Pas një periudhe ku golat kishin munguar dhe faza ofensive ishte kthyer në shqetësim, ndeshja ndaj Flamurtarit shënoi një kthesë të rëndësishme për ekipin e drejtuar nga Edi Martini. Tre golat e shënuar jo vetëm i dhanë fitoren Vllaznisë, por edhe rikthyen besimin për objektivat sezonalë, duke u kthyer në një “dhuratë” për tifozët në prag të festave të fundvitit.
Protagonist absolut vijon të mbetet Bekim Balaj. Sulmuesi shkodran e mbylli vitin 2025 në formë optimale, duke shënuar pas golit në derbin me Tiranën edhe një dopietë në ndeshjen e fundit të vitit. Me 10 gola në 18 javë, Balaj është aktualisht shënuesi më i mirë i kampionatit dhe pretendenti kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë”, që do të ishte e treta radhazi për të.
34-vjeçari është gjithashtu në ndjekje të rekordit personal të golave në një sezon. Në edicionin e kaluar, Balaj realizoi 17 gola në fazën e rregullt dhe 2 të tjerë në “Final 4”, duke e mbyllur sezonin me 19 gola në total. Në sezonin aktual, ai ka kaluar gjysmën e kësaj kuote që në muajin dhjetor, duke rritur ndjeshëm shanset për thyerjen e rekordit personal.
Surprizë pozitive në repartin ofensiv të Vllaznisë këtë sezon është edhe mbrojtësi i majtë Andrey Jago. Braziliani ka gjetur rrjetën plot 3 herë, duke u kthyer në golashënuesin e dytë më të mirë të skuadrës deri në javën e 18-të. Ai ka lënë pas emra si Mala dhe Kallaku, të cilët kanë shënuar nga dy gola, duke konfirmuar rëndësinë e tij në skemat taktike të trajnerit Martini.
