Bajrami-Mala, Vllaznia fitore me përmbysje ndaj Vikingur

Vllaznia përmbys Vikingurin

Vllaznia ka arritur një fitore karakteri, 2-1 përballë Vikingur të Islandës në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës, që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH.

Pas një fillimi premtues, kur Bismark rrezikoi që në minutën e pestë me një gjuajtje në trekëndësh, skuadra shkodrane e pa veten në disavantazh, teksa Karl Gunarson shënoi me kokë, pas goditjes nga këndi. Ishte minuta e dhjetë dhe kushdo mund t’i druhej përsëritjes së skenari të vjetshëm me Valur Reijkjavik.

Vllaznia përpiqet të organizohet, por loja zhvillohet kryesisht në mesfushë e pa rreziqe në portat respektive, deri në minutën e 44-t, kur shkodranët kërkojnë penallti, ndërsa Vikungur del menjëherë më pas në kundërsulm dhe për pak sa nuk shënon golin e dytë. Reagimi i kuqebluve në pjesën e dytë ishte i fortë, por fillimisht kaluan edhe një moment tjetër të vështirë, kur Vikingur tronditi traun e portës.

Në të 53-tën Balaj nuk arriti të gjuante brenda zonës, gjë që mundi ta bënte në minutën e 62-të, pas topit të marrë nga Kouros, por jashtë. Tri minuta më pas, sërish Balaj në zonë nuk arrin të gjuajë topin para porte, por në minutën e 67-të vjen goli i barazimit, shënuar nga Bajrami, thuajse identik me atë të islandezëve. Shkodranët bëhen zotër të fushës dhe rriten edhe fizikisht, krejt ndryshe nga ndeshja me Daugavpils në Elbasan.

Bismark kishte mundësinë për golin e dytë me kundërsulm në minutën e 73-të, por gjuajti drejt portierit. Dy minuta më pas, Vllaznia kalon në epërsi. Malaj gjuan nga jashtë zonës, topi devijohet dhe portieri mik nuk ka shanse ta ndalojë tundjen e rrjetës.

Islandezët thuajse nuk ekzistojnë më, por Vllaznia nuk arrin të gjejë edhe një gol tjetër, edhe pse mundësinë e ka në minutën e 98-të, me Mensah, i ndaluar nga dalja e portierit. Megjithatë, dy gola mjaftojnë dhe Vllaznia shkon me një fitore në Islandë javën e ardhshme.

VLLAZNIA-VIKINGUR 2-1

Shënues: Bajrami 67′, Mala 75’/Gunnarsson 10′

Mbyllet sfida në “Loro Boriçi”, Vllaznia fiton me rezultatin 2-1 përballë Vikingur me golat e Bajrami 67′ dhe Mala 75′. Goli për islandezët u shënua nga Gunnarsson 10′.

90’+ 4 – Islandezët shfaqen rrezikshëm me anë të Agnarsson pranë zonës shkodrane, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.   

75’ – Gooooool Mala! Pas një sulmi të rrufeshëm mesfushori i kuqebluve ka goditur duke e dërguar topin në rrjetë dhe me ndihmën e një devijimi nga një mbrojtës i islandezëve.

73’ – Vllaznia pranë golit të dytë. Bismark ka arritur të shkëputet bukur duke goditur fuqishëm, por mjaft qëndrore dhe e kapshme nga ana e portierit të islandezëve.

Gooooool Bajrami! Vllaznia ka vendosur barazpeshën përballë Vikingur.  Një goditje nga këndi është shfrytëzuar në maksimum nga shtatlarti kuqeblu, i cili ka goditur saktësisht me kokë.

62’ – Mundësia më e mirë për Vllazninë me Balajn protagonist, por goditja e sulmuesit të kuqebluve përfundon jashtë.  

53’ – Moment i mirë për Vllazninë, por Balaj në momentin e fundit nuk arrin të devijojë topin drejt portës.

49’ – Vikingur i afrohet golit të dytë me Gudjonsson, por traversa i ka ardhur në ndihmë skuadrës shkodrane.

47’ – Moment kërkënues i Vllaznisë në zonën e islandezëve, Gjini është penguar në zonë por loja ka vazhduar normalisht.

Nis pjesa e dytë…

Mbyllet pjesa e parë në “Loro Boriçi”, Vikingur në avantazh 1-0 përballë Vllaznisë me golin e shënuar nga Gunnarsson 10′.

44’ – Mala pengohet në zonën e islandezëve, shkodranët pretendojnë për 11-metërsh, por gjyqtari i sfidës lejon vazhdimin e lojës dhe rreziku zhvendoset në portën e shkodranëve.

24’ – Mala tenton me një gjuajtje në hyrje të zonës, por pa rrezik për porën islandeze.   

21’ – Vllaznia shfaqet rrezikshëm në zonën islandeze, Gjini ka tentuar me kokë por Jonsson ëshë treguar i saktë me ndërhyrjen e tij.  

10’ – Vikingur ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në mundësinë e parë të krijuar, Gunnarsson ka fituar duelin me mbrojtjen kuqeblu duke goditur saktësisht me kokë, 0-1.

5’ – Bismark bën gjithçka në mënyrën e duhur, por goditja e tij është neutralizuar nga portieri i islandezëve që e ka dërguar në goditje këndi.

2’ – Krymi dha sinjalin e parë drejt portës islandeze, por shumë larg objektivit.

Ka nisur sfida në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe islandezëve të Vikingur, përballja e parë e turit të dytë të Ligës së Konferencës.

VLLAZNIA-VIKINGUR

1 8
2 4