Avokati i Popullit mesazh në 25-vjetorin e krijimit të institucionit
Institucioni i Avokatit të Popullit, shënon sot 25 vite nga krijimi i tij. Me këtë rast, Avokati i Popullit ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale, ku shprehet se “në vitin 2000 u krijua Institucioni i Avokatit të Popullit, një organ kushtetues për mbrojtjen e të drejtave themelore, promovimit të llogaridhënies dhe forcimit të shtetit të së drejtës”.
“Në zemër të Ballkanit, Shqipëria është një vend me histori të pasur dhe plot kontraste, e shënjuar nga shekuj sundimi të huaj, monarki, dekada izolimi totalitar dhe një tranzicion të gjatë paskomunist. Në këtë realitet gjithnjë në zhvillim, të drejtat dhe liritë e individit shpesh janë vënë në provë, janë ripërcaktuar dhe rifituar me përpjekje të vazhdueshme”, thuhet në mesazh.
Në mesazh thuhet se “njëzet e pesë vjet më vonë, ky institucion qëndron sot si një mbrojtës i të drejtave të qytetarëve dhe, njëkohësisht, si një pasqyrë e zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Ky përvjetor nuk është vetëm një mundësi për të festuar, por edhe një hapësirë për reflektim, dialog dhe ripërtëritje të angazhimit për drejtësi, dinjitet dhe të drejta të njeriut”.
Pak ditë më parë, Avokati i Popullit prezantoi edhe logon zyrtare të institucionit me rastin e 25-vjetorit të krijimit.
Sipas njoftimit, në këtë logo gërshetohen shifrat e përvjetorit, shqiponja që përfaqëson shtetin dhe qytetarin, si dhe inicialet AP, Avokati i Popullit.
