ATSH mbledh drejtuesit e agjencive të lajmeve: “Rol kyç, mbrojtja e informacionit të besueshëm”

ATSH mbledh drejtuesit e agjencive

Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) ka mikpritur në Tiranë për herë të parë Konferencën e Pranverës të Aleancës së Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA), me temë “Kërcënimet ndaj gazetarisë & Agjencitë e lajmeve & Mjetet për t’u mbrojtur”.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, si dhe drejtori i lajmeve për Evropën dhe Afrikën në ”Associated Press”, James Jordan, hapën punimet e Konferencës me pjesëmarjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve nga 32 agjenci evropiane të lajmeve, nga Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Finlanda, Kroacia, Ukraina, Spanja, Turqia, Serbia, Çekia, Azerbajxhani, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Suedia, Norvegjia, Bullgaria e të tjerë.

Në fjalën e saj, znj. Zhupa tha se përfaqësuesit e agjencive të lajmeve që ndodhen sot këtu përbëjnë zemrën e informacionit të besueshëm në kontinentin tonë, por dhe më gjerë. Ajo u ndal te sfidat me të cilat përballet sot gazetaria dhe agjencitë e lajmeve, si dhe nevojën për veprim të përbashkët në një mjedis informuese që po ndryshon me ritme të shpejta.

Sot gazetaria dhe agjencitë e lajmeve përballen me një mjedis më sfidues se kurrë më parë. Nga dezinformatat që qarkullojnë në sekonda, tek presionet ekonomike, rënia e besimit dhe dominimi i platformave globale, të gjithë ne në këtë sallë e dimë se çdo ditë po na vihet në provë, misioni i madh i shtypit: të informosh në përputhje me parimet më të larta të humanizmit. Në fakt, ajo që na bashkon, është pikërisht fakti se asnjë agjenci serioze nuk mund ta përballojë vetëm këtë realitet.

Jetojmë në një kohë kur gënjeshtra qarkullon më shpejt se e vërteta dhe madje besohet në shumë raste, pa iu provuar burimet. Në një treg të mbingarkuar me burime anonime dhe të pa verifikuara, dallimi mes faktit dhe opinionit është zbehur dhe vazhdon të shpërfillë informacionin e vërtetë. Kjo është një sfidë për çdokënd që e merr seriozisht të vërtetën. Dhe ne e marrim. Ja pse verifikimi i informacionit dhe transparenca mbi burimet tona është në themel të punës sonë”, nënvizoi ajo.

Një tjetër temë e ndjeshme e adresuar nga Zhupa ishte shpërndarja e lajmeve të agjencive nga platformat e mëdha teknologjike.

Platforma të mëdha teknologjike shpërndajnë lajme të prodhuara nga ne, pa garantuar shpërblimin e duhur. Për më tepër, shpesh këto algoritme favorizojnë përmbajtje emocionale, konfliktuale apo thjesht tentojnë të kapin sensacionin, kuptohet jo domosdoshmërisht të saktë apo të verifikuar. Këtu kemi nevojë për një zë të përbashkët dhe për zgjidhje të përbashkëta. Disa vende kanë nisur të negociojnë për modele të reja. Ne duhet të jemi pjesë e këtij diskutimi dhe të adresojmë shqetësime të vërteta”, tha ajo.

Më tej, drejtoresha e ATSH-së evidentoi tre shtylla kryesore për të përballur shqetësimet e kohës përmes një gazetarie cilësore: bashkëpunim më të gjerë mes agjencive, investime në teknologji moderne si inteligjenca artificiale për verifikim faktesh dhe rritje të vizibilitetit të agjencive në debatin publik.

Duhet të investojmë në platformat tona, në inteligjencën artificiale për të zbuluar lajme e rreme, në sisteme më efikase për menaxhimin e përmbajtjes, në aplikacione që i sjellin lajmet tona më afër qytetarit të zakonshëm. Ne duhet të jemi më të pranishëm në debatin publik. Jo vetëm përmes përmbajtjes që prodhojmë, por edhe përmes edukimit të publikut për rolin tonë. Shumë njerëz nuk e dinë ende se lajmet që lexojnë në media apo dëgjojnë në radio vijnë nga një agjenci lajmesh. Kjo duhet të ndryshojë, por edhe ne duhet të ushtrojmë autoritetin tonë që lajmet tona të jenë referencë për institucionet, publikun”, deklaroi znj. Zhupa.