Atentati në fushën e golfit, dënohet me burgim të përjetshëm Ryan Routh, autori që tentoi të vriste Donald Trump
Ryan Routh, personi që u përpoq të vriste ish-Presidentin Donald Trump në një fushë golfi në Florida vitin e kaluar, është dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjyqtarja federale Aileen Cannon dha vendimin të mërkurën në Fort Pierce, duke e mbyllur përfundimisht pas hekurave 59-vjeçarin, i cili sipas gjykatës, tregoi një “mosrespektim total ndaj ligjit” dhe nuk shfaqi asnjë pendesë.
Përveç burgimit të përjetshëm pa lirim me kusht, gjyqtarja Cannon shtoi edhe një dënim prej 7 vitesh për armëmbajtje pa leje.
“Plani yt për të vrarë ishte i qëllimshëm dhe i lig. Ti nuk je njeri paqësor. Ti nuk je njeri i mirë,” i tha gjyqtarja të pandehurit në sallë.
Prokurorët argumentuan se demokracia amerikane nuk mund të funksionojë nëse individët marrin përsipër të eliminojnë kandidatët politikë. Nga ana tjetër, mbrojtja u përpoq të lehtësonte pozitën e Routh, duke theksuar se ai “në momentin e fundit zgjodhi të mos e shkrepte këmbëzën”, por ky argument u rrëzua nga trupi gjykues duke pasur parasysh të kaluarën kriminale të tij.

Deklarata e autorit
Gjatë seancës, Routh u lejua të fliste për pak minuta, por deklarata e tij 20-faqëshe u ndërpre nga gjyqtarja pasi u konsiderua e parëndësishme. “Bëra gjithçka që munda dhe jetova një jetë të mirë,” u shpreh ai para se t’i hiqej fjala.
Ngjarja e shtatorit 2024
Ryan Routh kishte planifikuar për javë të tëra vrasjen e Donald Trump. Më 15 shtator 2024, ai u fsheh në shkurret e klubit të golfit në West Palm Beach me një pushkë, ndërsa Trump luante golf. Një agjent i Shërbimit Sekret e pikasi dhe hapi zjarr, duke e detyruar Routh të arratisej pa qëlluar asnjë plumb. Ai u arrestua pak më vonë.
