ASHAK-u feston 50-vjetorin – Presidenti Begaj: Kemi dy shtete shqiptare, dy Akademi Shkencore që u shërbejnë një kombi
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka shënuar sot gjysmëshekullin e themelimit të saj. Në ceremoninë solemne të mbajtur në Prishtinë morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues akademish nga vende të ndryshme si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij për këtë përvjetor jubilar, e cilësoi Akademinë si një institucion themelor për mendimin shkencor dhe ruajtjen e vlerave kombëtare. Ai tha:
“Një institucion i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë busull e mendimit shkencor, ruajtjes së vlerave kombëtare dhe promotor i zhvillimit kulturor dhe intelektual. Sot kremtojmë rrugëtimin gjysmëshekullor të dijes, sakrificës, dhe përkushtimit intelektual qytetar dhe kombëtar. Festojmë jetën e një institucioni që lindi në kushte të vështira, por që u ngrit në lartësinë e institucioneve të tjera simotra të kombeve të zhvilluara.”
Duke folur për trashëgiminë e dijes në Kosovë, Begaj kujtoi se ky institucion u ngrit mbi bazat e një historie të pasur intelektuale.
“Kosova kishte një histori dhe një trashëgimi të çmuar dijesh të hershme përpara se ky institucion të merrte formën që ka sot. Këtë trashëgimi sot, në këtë jubile, ne e kujtojmë dhe e nderojmë me mirënjohje të thellë. Udhëheqësit e shkollës shqipe, profesorët e Normales, studiuesit dhe albanologët e parë shqiptar, dhjetëra e qindra shkencëtarë, janë themeli mbi të cilin u ngrit Akademia.”
Presidenti shqiptar theksoi se Akademia dhe intelektualët e Kosovës patën një rol të pazëvendësueshëm atdhetar në kohët më të vështira.
“Ata mbrojtën gjuhën e historinë, identitetin shqiptar kur ato ishin të kërcënuara. Patriotizmi i tyre u shpreh jo vetëm me fjalë të mëdha, por me punë të palodhur shkencore, krijimtari të guximshme dhe këmbëngulje për të thënë të vërtetën.”
Begaj e përshkroi historinë e shqiptarëve të Kosovës si një histori pengesash dhe represioni, ku intelektualët dhanë përgjigje të fuqishme ndaj presionit.
“Historia e shqiptarëve të Kosovës nuk është histori e një populli me institucione të lira. Është historia e pengesave të qëllimshme, e kufizimeve politike e sociale nga një sistem i egër, represiv e kriminal që synonte të ndalte çdo afirmim kulturor, shkencor dhe dinjitar kombëtar shqiptar. Sa më i fortë presioni, aq më e madhe ishte përgjigjja e elitës intelektuale të Kosovës.”
Në vijim, presidenti Begaj u ndal te momenti historik që po jetojnë shqiptarët sot, falë përpjekjeve të shumta dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë.
“Pas shumë përpjekjesh e sakrificash dhe falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropianë, shqiptarët jetojnë një moment të paprecedentë. Kemi dy shtete shqiptare, dy Akademi Shkencore që u shërbejnë një kombi. Është hera e parë në historinë tonë që dija shqiptare mund të zhvillohet pa pengesa, në liri e bashkëpunim të plotë. Kjo na jep jo vetëm siguri, por edhe fuqi për të ecur përpara, për t’u ngritur si komb përmes dijes, krijimtarisë dhe përmes shpirtit.”
Në përmbyllje, Begaj theksoi se e kaluara ka mësuar shqiptarët për vlerën e dijes, ndërsa e ardhmja kërkon që kjo dije të shndërrohet në forcë zhvillimi.
“E kaluara na ka mësuar vlerën e dijes dhe e ardhmja na kërkon të shndërrojmë këtë dije në forcë zhvillimi për shoqërinë tonë.”
