Asambleja e SEPCA në Berat – Fokusi te krimi i organizuar, emigracioni dhe siguria kibernetike

Asambleja e SEPCA

Policia e Shtetit, në cilësinë e presidentes së Shoqatës së Shefave të Policive të Evropës Juglindore (SEPCA) për vitin 2025, drejtoi sot nga Berati punimet e Asamblesë rajonale të drejtuesve të policive të vendeve të Evropës Juglindore.

Në qendër të diskutimeve ishin tri sfida kyçe për rajonin: emigracioni i paligjshëm dhe trafiku i qenieve njerëzore, lufta kundër krimit të organizuar dhe forcimi i mbrojtjes ndaj krimit kibernetik.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, deklaroi se Shqipëria është e angazhuar në rrugën drejt integrimit evropian si garanci për sigurinë dhe zhvillimin.

“Ballkani Perëndimor ka mundësinë, por edhe përgjegjësinë të shndërrohet në një zonë sigurie kolektive, në një shembull konkret bashkëpunimi policor ndërkombëtar,” theksoi ai.

Proda shtoi se janë intensifikuar hetimet financiare për të goditur burimet ekonomike të grupeve kriminale dhe për të rikuperuar pasuritë e paligjshme.

Edhe zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha se Shqipëria ka nisur një cikël investimesh në mbrojtjen kibernetike dhe kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën europiane.

“Kufijtë po bëhen gjithnjë e më fluidë, ndërsa rreziqet hibride sa vijnë e shtohen. Krimi i organizuar maskohet lehtësisht, pa pasaportë e pa shtet,” u shpreh Hodaj.

Policia e Kosovës kërkon anëtarësim të plotë në SEPCA

I pranishëm në këtë Asamble ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili deklaroi se edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e plotë e SEPCA-s, prania e saj në Asamble tregon vullnetin për bashkëpunim të ndërsjellë.

“Policia e Kosovës është e gatshme dhe plotësisht e përkushtuar të bëhet anëtare e plotë e SEPCA-së. Me pranimin e Policisë së Kosovës në SEPCA besoj që do të ketë vetëm fitues, nuk do të ketë asnjë humbës”, tha ai.

Montanario: Shqipëria sjell një drejtim dinamik dhe të përkushtuar

Drejtuesi i projektit “EU4Fast”, Antonio Montanario, përshëndeti drejtimin shqiptar të SEPCA-s për vitin 2025 dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria sjell rolin e saj me një përvojë të pasur, me një perspektivë dinamike, me përkushtim të paepur për vlerat që ne ndajmë së bashku. Në drejtimin e Shqipërisë, ne do vazhdojmë të thyejmë akuj dhe të arrijmë lartësi të mëdha. Jam i kënaqur që Shqipëria ka ndërmarrë drejtimin e SEPCA-së dhe ky është një fillim i mirë, ndërsa ne, si E4Fast garantojmë mbështetje në hartimin e vlerësimeve të krimit të organizuar, kërcënimeve dhe hetimeve financiare”, tha Montanario.