Ari thyen rekord të ri historik – Pasiguria globale shtyn çmimet drejt 5 600 dollarëve për ons

ari rekord his

Çmimet globale të arit vijuan rritjen edhe sot, duke shënuar një tjetër rekord historik në tregjet ndërkombëtare. Në orët e para të mëngjesit, ari iu afrua nivelit të 5 600 dollarëve për ons, ndërsa u stabilizua rreth 5 500 dollarë.

Vetëm gjatë kësaj jave, çmimi është rritur me mbi 10 për qind, duke thyer për herë të parë pragun psikologjik të 5 000 dollarëve. Rritja po nxitet nga orientimi i investitorëve drejt aseteve të sigurta, në kushtet e pasigurisë globale. Analistët vlerësojnë se ari po shihet gjithnjë e më shumë si një ruajtës i qëndrueshëm i vlerës.

Sipas tyre, borxhi i lartë qeveritar ne SHBA dhe rreziqet gjeopolitike po ndryshojnë rolin tradicional të metalit të çmuar. Kërkesa është mbështetur edhe nga blerjet e bankave qendrore dhe dobësimi i dollarit amerikan. Ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë luhatje afatshkurtra në çmime. Megjithatë, ata theksojnë se bazat e tregut mbeten të forta për vitet në vijim.

Në planin ndërkombëtar, tensionet janë shtuar pas përplasjeve të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Këto zhvillime kanë rritur më tej pasigurinë gjeopolitike.

Ndërkohë, Rezerva Federale amerikane la të pandryshuar normën bazë të interesit, duke mbajtur në vëmendje inflacionin ende mbi objektiv, një faktor me tepër ky qe ndikon ne rritjen e çmimit të arit.