Arben Anamali u mbyt duke shpëtuar dy turistë, Beci: Akti heroik u kthye në tragjedi. Strukturat të angazhuara për gjetjen e trupit

gjetjen e trupit

Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Shkodër, ku kapiteni 51-vjeçar, Arben Anamali, humbi jetën në një akt heroik duke shpëtuar dy turistë nga mbytja.

Në një postim në Facebook, teksa shpreh mbështetjen e tij ndaj familjes së 51-vjeccarit, Beci shkruan se strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të tij.

Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali.

Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën. Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira”, shkruan Beci.

Pasditen e djeshme (8 korrik) kapiteni i anijes për qëllime turistike dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur. Fatmirësisht, turistët shpëtuan dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, por Anamali nuk mundi të dilte më nga uji. Kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit Anamali vazhdojnë intensivisht.