Apeli shqyrton dënimin për Pleskoviçin, kërkohet burgim i përjetshëm për krime lufte në Prizren

auto_Screenshot_201768084823

Në Gjykatën e Apelit në Kosovë u shqyrtua çështja e Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit. Në këtë seancë u trajtua ankesa e mbrojtjes kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa Prokuroria e Apelit kërkoi që ankesa të refuzohet si e pabazuar dhe të lihet në fuqi vendimi i dhënë më herët.

Në sallë ishte e pranishme edhe Mihrije Daçaj, nëna e dy binjakëve të vrarë gjatë luftës në Prizren. Ajo kërkoi drejtësi dhe dënim për jetë për të akuzuarin, duke theksuar se djemtë e saj u vranë barbarisht.

 “Mi kanë mbytur, çfarë të bëjë, në mal kanë qenë, kanë shkuar për dru… Ne kërkojmë dënim për jetë”, tha ajo.

Dënim kapital kërkoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Blend Gjini, i cili theksoi se ankesa e avokates së të akuzuarit është e pabazuar.

 “Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me viktima civilë shqiptarë, të zonjës Mihrije këtu ia kanë djegur shpirtin, sepse dy djemtë e rinj binjakë kanë humbur jetën dhe janë ekzekutuar në mënyrë barbare. Duke pasur parasysh edhe vuajtjet dhe përjetimet e riprodhuara në seancë, ne konsiderojmë se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i vogël. Ne kërkojmë nga Gjykata e Departamentit Special të Apelit që, duke i marrë parasysh këto rrethana dhe fakte, të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim kapital. Andaj, në fund, i propozojmë kolegjit të Departamentit Special për Krime Lufte që të refuzohet ankesa e avokates, pasi një ankesë e tillë është e pabazë dhe nuk korrespondon me provat e shtjelluara,” tha ai

Nga ana tjetër, avokatja e Pleskoviqit mohoi përfshirjen e klientit të saj në krim, duke deklaruar se në kohën e luftës ai ishte vetëm 19 vjeç dhe nuk kishte qenë pjesë e forcave policore. Këto deklarata shkaktuan përplasje në sallë, ku reaguan familjarët e viktimave.

Gjyqtari njoftoi se vendimi përfundimtar do të merret brenda një afati të arsyeshëm, ndërsa Pleskoviqi aktualisht vuan një dënim prej 15 vitesh burg për vrasjen e tre civilëve shqiptarë.