Antikorrupsioni, takime konsultues për financimin politik dhe konfliktin e interesave
Në tryezën ku u diskutua projektligji për financimin e partive politike, ekspertë theksuan domosdoshmërinë që ligji për financimin e partive politike, ai i fushatave zgjedhore dhe Kodi Zgjedhor të jenë të harmonizuar dhe plotësues, në kuadër të një reforme të mirëfilltë ligjore.
Eksperti zgjedhor, Kristaq Kume nënvizoi se nevojitet një kornizë e dedikuar ligjore, ku partitë të jenë të detyruara të krijojnë struktura financiare në çdo nivel organizimi.
“Është ndoshta më e përshtatshme që të punojmë dhe të hartojmë një ligj që të trajtojë në mënyrë integrale problemet e financimit të partive politike, jo vetëm për financimin gjatë fushatës zgjedhore, por edhe një pjesë për aktivitetin që kanë partitë politike. Në këtë ligj për financimin e partive politike, duhet të vendosim detyrim për partitë që të ndërtojnë struktura se si do të administrohen financat e tyre,” tha Kristaq Kume, ekspert zgjedhor.
Ndërkohë, Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike e quajti emergjente miratimin e ligjit të ri, duke e cilësuar situatën aktuale si një “gropë të madhe informale të financimit politik”.
“Shqipëria ka nevojë urgjente për të bërë diçka lidhur me këtë pikë. Gropa më e madhe informale në Shqipëri është financimi i partive politike,” tha Krasniqi.
Financimi i partive politike duhet të trajtohet në një ligj të veçantë. I këtij mendimi janë ekspertët e fushës të cilët ishin pjesë e një tryeze konsultimi të draftit paraprak të projektligjit “Për financimin e partive politike” në Komisionin Antikorrupsion.
Mendimit të ekspertëve i bashkohet edhe kryetari i Komisionit Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj.
“Jam për ta ribërë ligjin për financimin e partive politike, sepse nuk është Kuvendi që prodhon partitë politike, sikurse dëgjova këtu, por janë partitë politike që prodhojnë Kuvend,” tha Xhafaj.
Ndërkaq, më herët gjatë ditës, Komisioni i Posaçëm, nën drejtimin e Fatmir Xhafajt, zhvilloi një tjetër tryezë mbi projektligjin “Për konfliktin e interesave”, ndërsa nisma u cilësua si një domosdoshmëri për integritetin institucional dhe përmbushjen e detyrimeve të integrimit në BE.
