Angli, vidhen me qindra bizhuteri dhe artefakte historike nga muzeu i Bristolit

bizhuteri dhe artefakte

Më shumë se 600 objekte me vlerë të lartë kulturore janë vjedhur nga arkivi i Muzeut të Bristolit, duke përfshirë bizhuteri, pjesë të historisë natyrore dhe figurina të gdhendura prej fildishi, bronzi dhe argjendi. Bizhuteritë e vjedhura përfshijnë gjerdanë, byzylykë dhe unaza.

Policia ka publikuar imazhe të katër burrave të kapur nga kamerat e sigurisë, pasi një pjesë e koleksionit të ish-Muzeut të Perandorisë Britanike dhe Komonuelthit, i dhuruar muzeut në vitin 2013, u vodh.

Philip Walker, kreu i kulturës dhe industrive krijuese në Këshillin e Qytetit të Bristolit, e përshkroi vjedhjen si “shkatërruese”. Ai tha se stafi e zbuloi ngjarjen të nesërmen dhe situata ishte e tmerrshme.

“Kutitë ishin hapur dhe përmbajtja derdhur në dysheme, raftet e rrëmujshme dhe koleksionet të shpërndara përreth. Ishte një skenë mjaft shkatërruese për t’u zbuluar”, tha ai.

Hetuesit thanë se vjedhja përbën një humbje të madhe për qytetin dhe se shumë nga sendet e grabitura janë donacione që ofrojnë një pasqyrë të historisë britanike.