Ambasadori i ri i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati i paraqet presidentit Bajden letrat kredenciale

c3819ad1bde44895a004a9818715b8ca

c3819ad1bde44895a004a9818715b8ca

Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati i paraqiti presidentit Xho Bajden (o. Joe Biden) letrat kredenciale, duke nisur në këtë mënyrë zyrtarisht detyrën e tij si përfaqësues i Shqipërisë në Uashington.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar fotot nga dorëzimi i letrave kredenciale nga Bushati, i cili sipas protokollit është në prani të presidentit Bajden së bashku me bashkëshorten e tij.

Ambasadori Bushati nëpërmjet një reagimi në Facebook shprehet se për të është nder të mbajë këtë detyrë të rëndësishme.

“Nder dhe Privilegj në këtë Mision të Shenjtë për mua: White House tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara Sh.T.Z Joe Biden. E nisim këtë rrugëtim me përkushtimin më të madh për të sjellë më afër popujt tanë e për të forcuar më tej bashkëpunimim strategjik mes nesh

Mirënjohje ndaj këtij vendi mik dhe aleat, për mbështetjen e palëkundur gjatë momenteve më kritike të historisë sonë. Sot më fort se kurrë e ndjej peshën e këtij misioni që më është besuar; teksa zotohem në përmbushjen e çdo objektivi drejt progresit,” shkruan Bushati.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste u dekretua në detyrën e diplomatit që do të përfaqësojë Shqipërinë në SHBA më 11 korrik të këtij viti. Ai do të shërbejë edhe si ambasador jorezident në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta-Rikës.