Ambasada britanike në Tiranë feston Ditëlindjen e Mbretit Charles III, Spiropali: Partneritet i qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë organizoi sot një pritje solemne me rastin e Ditëlindjes së Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III. Ky event i rëndësishëm diplomatik mblodhi në kryeqytet figura të larta shtetërore dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zyrtarë të lartë qeveritarë, si dhe ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Tiranë.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndau foto nga ceremonia dhe e cilësoi këtë si “një mbrëmje e veçantë për të festuar miqësinë e çmuar dhe partneritetin e qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, duke theksuar marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.