Aleatja e Kurtit kundër Kushtetueses: S’mund t’ia marrë të drejtën LVV për propozimin e kryeparlamentarit

mimoz kusar

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’ia marrë të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj, dështimi për të konstituuar Kuvendin nuk lidhet me mungesën e kandidatit, por me mungesën e kuorumit për votim.

Nuk e besoj se mund të jetë një gjykim i tillë, për arsye se do të binte në kundërshtim me një aktgjykim paraprak të vetë Gjykatës Kushtetuese. Do të thotë, Gjykata Kushtetuese me një aktgjykim ia ka garantuar të drejtën propozuesit për të marrë, gjegjësisht për të propozuar dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit sipas propozimit të partisë së parë apo partisë fituese dhe ky është rasti. Përderisa, arsyeja që nuk po mbyllet seanca konstituive nuk ka të bëjë me mungesë të emrit të propozuar, por ka të bëjë me mungesë të kuorumit apo mospjesëmarrjes në votim. Prandaj, këtu është një kundërthënie e madhe në raport me mënyrën ose formën se si mund gjykata ta interpretojë ose ta marrë të drejtën e partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Do të thotë, nuk mund të transferohen, sipas leximit tim të paktën, dispozitat për formimin e qeverisë te dispozitat për formimin, gjegjësisht për konstituimin e Kuvendit, për arsye se nuk janë të njëjta dhe nuk parashihen me të njëjtin normim, as nuk i kanë sanksionet e njëjta. Në rast të mosformimit të qeverisë, vendi shkon në zgjedhje, ndërsa nuk është e paraparë me Kushtetutë që në rast të moskonstituimit të Kuvendit, në afat të caktuar, vendi shkon në zgjedhje”, thekson ajo.

Kusari-Lila paralajmëroi se nëse deri më 26 korrik nuk konstituohet Kuvendi, mund të ndodhë decertifikimi i deputetëve. Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. Deputetët e zgjedhur të premten më 25 korrik, do të tentojnë për herë të 52-të të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë