Albana Vokshi për RTSH, PD kërkon zgjedhje të lira me qeveri teknike
Demokratët kanë depozituar një tjetër raport pranë faktorit ndërkombëtar për të vërtetuar manipulimet e kryera, sipas tyre, në zgjedhjet e 11 majit.
Shumë shpejt Partia Demokratike do u drejtohet kancelarive ndërkombëtare me raportin final, me pritshmërinë e mosnjohjes së zgjedhjeve.
“Ne presim mbështetjen e kërkesës së Partisë Demokratike për qeveri teknike, që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, ajo që ne kërkojmë janë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, rikthimin e demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëse s’ka zgjedhje të lira e të ndershme, s’ka demokraci,” deklaron deputetja demokrate Albana Vokshi.
Në intervistën për RTSH-në, znj. Vokshi, e angazhuar direkt në hartimin e raporteve, sikundër në lobimin me faktorin ndërkombëtar për të vërtetuar atë që e cilëson “farsë zgjedhore”, theksoi se vëmendja e Brukselit është në Tiranë.
“Shqipëria është nën vrojtim, nën monitorim. Edi Rama nuk do e kalojë lehtë masakrën zgjedhore që e organizoi për të mbajtur pushtetin. Kam 30 vjet në politikë. Kam marrë pjesë në dhjetëra zgjedhje. Kurrë nuk janë zhvilluar zgjedhje në kushtet që u zhvilluan më 11 maj,” shprehet ajo.
Znj. Vokshi tha se mungesa e standardeve zgjedhore e penalizon integrimin e vendit në BE.
“Për aq kohë sa të jetë Edi Rama dhe për aq kohë sa ai të sundojë dhunshëm, frika ime është se kjo do ta penalizojë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian,” thotë deputetja demokrate.
Sipas znj. Vokshi, janë katër institucione ndërkombëtare, bashkë me OSBE/ODIHR-in, të angazhuara në mbledhjen e fakteve dhe provave për manipulimet e kryera si para 11 majit, ashtu edhe në ditën e votimit, kur, sipas saj, “bandat e lidhura me pushtetin” morën në dorë zgjedhjet.
