Akuzat e Ramës- Prokurorja Gjeli shkresë KLP: Sulm personal, kur u referua rasti nuk kishte struktura betoni

Ramës

Prokurorja Elsa Gjeli i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas akuzave të artikuluara nga kryeministri Edi Rama gjatë ditëve të fundit kundrejt saj.

Në shkresën e saj, Gjeli kërkon nga KLP mbrojtjen e trupës së Prokurorëve përballë sulmeve politike.

E teksa shprehu gatishmërinë për t’u hetuar, Gjeli i kërkon KLP-së në letrën e saj, ndërmarrjen e hapave institucionalë me qëllim garantimin e sigurisë së Magjistratëve që sulmohen për shkak të detyrës.

Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë; Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura”, shkruan Gjeli.

Reagimi i Gjelit vjen pas akuzave të kryeministrit Rama për mosnisjen e hetimeve nga ana e prokurores për një ndërtim pa leje në zonën e Thethit, ndonëse policia dhe inspektorati përkatës kishin referuar çështjen.

Në vijim të shkresës, Gjeli i konsideron akuzat e Ramës jo vetëm si personale, por gjithashtu të paprecedenta dhe diskriminuese.

“Ky qëndrim publik është: I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë; Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike; Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit”, shkruan Gjeli.

Gjeli ka sqaruar më tej edhe rastin e referuar nga policia dhe inspektorati në prokurori për ndërtimin pa leje në Theth.

Ajo nënvizon se pas verifikimeve të kryera mbi këtë referim, ajo vendosi të mos fillonte procedimin penal, duke e cilësuar ngjarjen si një kundërvajtje administrative, pasi sikurse sqaron prokurorja, qytetari nuk kishte vendosur struktura betoni për ta arrestuar atë apo për ta konsideruar si vepër penale.

“Prokuroria ka regjistruar një kallëzim penal më 28.05.2025 pas një referimi nga policia dhe çështja më është caktuar për verifikim me short elektronik. Nga ky referim i policisë rezultonte se në lagjjen Fushë-Theth, në fshatin Theth, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, nga ana e I.M.T-së ishte konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, në pronën e shtetases Lene Prroni. Këta objekte nuk kishin bazament betoni, por ishin të vendosur në të katër qoshet mbi rrasa guri të prera, sipas referimit të bërë nga Policia Gjyqësore.Në përfundim të veprimeve verifikuese, në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por duke sqaruar se jemi në kushtet e kundravajtjes administrative.

Me 07.07.2025 janë publikuar pamjet e vendit të ngjarjes. Pikërisht në këtë datë ka dalë me prononcimin e parë të tij publik me tone denigruese edhe z. Kryeministër, duke vijuar edhe në ditën pasardhëse. Nga këto pamje kam konstatuar se, vendi i ngjarjes kishte ndryshuar, duke u betonizuar sheshi ku ishin vendosur kontenjerët, lidhur energjia elektrike dhe kontenjerët duket se ishin të përdorshëm/banueshëm“, shkruan Gjeli më tej.

Pas denoncimit publik të Kryeministrit Edi Rama për mosveprimin e prokurores Elsa Gjeli, e cila, sipas tij, kishte hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit për ndërtimet pa leje, Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e këtij “skandali” pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Denoncimi në KLP mund të çojë në një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës.